Vrasja e vëllezërve Haxhiaj, përveç një atentati mafioz, po rezulton e lidhur dhe me shumë ngjarje të tjera kriminale.
Dyshohet se vrasjet e dy vëllezërve Haxhiaj, më 27 prill, dhe e Dorian Shkozës, më 2 mars, janë porositur nga i njëjti grup kriminal, i cili kërkon pjesën e tij të parave nga grabitja e Rinasit.
Ata kanë kërkuar vrasjen e personave të cilët kanë pasur dijeni për vendin e fshehjes së parave dhe nuk kanë pranuar ta tregojnë atë.
Exit News sjell më poshtë një përmbledhje të të gjithë informacionit që dihet deri më tani për vrasjen e 27 prillit dhe ngjarjet e lidhura me to:
Pasditen e 27 prillit, në tregun e makinave në Shënvlash të Durrësit, u vranë në një atentati me armë vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhiaj 35 dhe 37-vjeç.
Ata u qëlluan teksa po lëviznin me makinë. Ata u ekzekutuan me nga 20 dhe 18 plumba në trup duke ndërruar jetë në vend.
Besmir Haxhiaj sapo ishte licensuar si avokat në Shqipëri, por ishte person i dënuar me burg më parë në Greqi. Ndërsa Viktor Haxhiaj njihej në zonën e Durrësit si sipërmarrës dhe tregtar makinash. Të dy vëllezërit dyshoheshin se trafikonin lëndë narkotike.
Më 1 maj, policia arrestoi dy autorët e dyshuar të vrasjes Altin Ndocin 33 vjeç, dhe Klevis Allën 22 vjeç.
Policia i gjeti të arrestuave tre armë zjarri kallashnikov dhe 12 celularë, bisedat e të cilave po zbardhen për të mësuar më shumë.
Altin Ndoci është person me precedent të mëparshëm penal. Ai ka qenë i dënuar për trafik droge. Ndoci kishte njohje me 2 viktimat Besmir dhe Viktor Haxhia, jo vetëm për faktin se dyshohet të kenë bashkëpunuar për tregtinë e drogës, por edhe për shkak se Ndoci dhe dy vëllezërit Haxhia, janë me origjinë nga i njëjti vend, Puka.
Altin Ndoci mori pjesë dhe në ceremoninë mortore të dy vëllezërve. Sipas ABCNews, kur të afërmit e vëllezërve e kanë pyetur se kush është, Ndoci është prezantuar me një emër tjetër. Kjo i ka bërë të afërmit të dyshojnë pasi nuk e kishin hasur më parë këtë person apo në rrethin e tyre familjar apo shoqëror.
I arrestuari tjetër, Klevis Alla vendosi të bashkëpunojë me policinë.
Ai rrëfeu dhe zbardhi dhe vrasje të tjera që kishte kryer bashkë me Ndocin.
Një prej këtyre vrasjeve është ajo e 2 marsit 2020, në Shkozë, ku Ndoci dhe Alla vranë Anxhelo Avdian dhe Dorjan Shkozën. Grupi kriminal kishte porositur vetëm vrasjen e Shkozës, ndërsa Avdia ndodhej rastësisht në atë moment në të njejtin vend dhe mbeti i vrarë aksidentalisht.
Shkoza vdiq në vend, ndërsa Avdia teksa po dërgohej në spital.
Shkoza ka qenë i dënuar më parë me tetë vite burg. Sipas raportimeve të ndryshme ai ka qenë dënuar për narkotrafik dhe ishte liruar në vitin 2010.
Të dyja vrasjet e dyfishta, atë të vëllezërve Haxhiaj, dhe atë marsit, policia i lidhi me prishjen e pazareve të drogës.
Të hënën, 4 maj, burime pranë prokurorisë kanë nxjerrë dhe detaje të tjera nga rrëfimi i Allës.
Ai ka rrëfyer se dy vëllezërit Haxhiaj kishin ndihmuar dhe strehuar një prej grabitësve të Rinasit më 9 prill 2019, ku u grabitën rreth 5 milionë euro.
Besmir Haxhia ka qenë i dënuar më parë në Greqi me emrin e rremë Pëllumb Rusi. Ai ka vuajtur dënimin në burgun ku ndodhej edhe Admir Murataj, ideatori kryesor i grabitjes së Rinasit dhe i vrarë nga policia gjatë ndjekjes.
Për shkak të kësaj lidhjeje, dyshohet se dy vëllezërit kishin ndihmuar dhe kishin dijeni për grabitjen në Rinas.
Përveç strehimit të një prej autorëve, ata kishin dijeni dhe për vendin e fshehjes së parave dhe ky ka qenë një nga aryset kryesore të vrasjes së tyre.
Tashmë prokuroria ka lidhur bashkë dosjet, atë të vrasjes së vëllezerve Haxhiaj, atë të grabitjes së Rinasit dhe vrasjes së 2 marsit.