Rreth 250 punonjës të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrolit në Fier, kanë nisur sot protestën për të kundërshtuar uljen e pagave në pagë minimale dhe shkarkimin e shumë prej tyre.
Punonjësit e terrenit të Albpetrolit, siç njihen ndryshe punonjësit në Fier, thonë se ata kanë shkuar në punë çdo ditë, madje dhe në kushte të vështira në mungesë të transportit publik. Ndaj ata e shohin të padrejtën uljen e pagave.
Po ashtu, një pjesë e tyre janë njoftuar nga administratori i kompanisë se do të shkarkohen, pa ndonjë motivacion të qartë. Pjesa më e madhe e të shkarkuarve janë punonjës që kanë vjetërsi punë mbi 30 vjet në Albpetrol.
Punonjësit u shprehën të indinjuar se tashmë Alb-etrolin po e drejtojnë ‘specialistë nga Tiranë’ që nuk e dinë se çfarë pune bëhet në terren.
Ata i bënë thirrje kryeminsitrit Rama dhe ministres Balluku të marrin masa për të ndaluar këto vendime të drejtuesve të AlbPetrolit.
Në fund të prillit, Albpetroli ndërpreu njerrjen e naftës sepse puset janë të mbushura.
Kjo situatë, siç njoftoi Minsitrja e Infrastrukturës Balluku ka ardhur si pasojë e uljes së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar.
Çmimi i naftës në tregun e huaj ka arritur në nivelin më të ulët në histori, si shkak i uljes së kërkesës dhe rritjes së rezervave të naftës. Çmimi i naftës ka rënë deri në nivel negativ.
Ulja e çmimit ka ardhur si pasojë e uljes së kërkesës së tregut, duke qënë se pjesa më e madhe e njerëzve janë në karantinë dhe rezervat e naftës kanë tejkaluar kapacitet mbajtëse.