Kryeministri Rama doli në mbrojtje të të ashtuquajturve oligarkë, gjatë një konference për shtyp të martën paradite. Mesazhi i tij ishte se në Shqipëri ka vetëm sipërmarrës të pasur dhe jo oligarkë.
“Besoj edhe sot që në Shqipëri nuk ka oligarkë. Oligarkë nuk janë ata që janë sipërmarrës të pasur, ata që përmes biznesit realizojnë të ardhura më shumë se tjerët, oligarkët janë ata që influencojnë drejtpërdrejt vendimmarrjet e qeverisë apo parlamentit dhe diktojnë axhenda të caktuara politike në funksion të interesave të tyre,” u shpreh Rama.
Madje ai shkoi edhe më tej duke thën se nuk ka patur asnjëherë njerëz të tillë—”nuk kam njohur deri më sot asnjë person që ta ketë këtë pushtet në Shqipëri dhe nuk kemi marrë asnjëherë asnjë vendim që nuk ka qenë i diktuar nga bindjet tona dhe sigurisht nga qasja jonë në raport me interest e vendit,” pohoi ai.
Kryeministri kritikoi edhe përdorimin e emrit ‘oligark’ duke thënë se edhe termi “përdoret në mënyrë të gabuar, për të krijuar një ide të gabuar lidhur me një numër të caktuar njerëzish, që nuk janë bërë të pasur nga hiçi, pas ardhjes sonë në qeveri, por e kanë vënë pasurinë në shumë vite dhe me ardhjen tonë në qeveri paguajnë më shumë taksa për shtetin shqiptar”.