Richard Grenell, i dërguari special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, i bëri thirrje të gjithë liderëve politikë në Kosovë që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos pasur zgjedhje të parakohshme.
“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të siguruar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe punë në rajon.” – u shpreh Grenelli për mediat kosovare.
Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.