Kryeministri Edi Rama e ka këshilluar përfaqësuesen e PD-së Jorida Tabaku të përmbahet për kritikat ndaj eurobondin prej 650 milionë euro.
“Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikës”, shkroi në një postim në Twitter, Kryeministri Rama.
Kryeministri e quajti eurobondin një sukses “kuptimplotë”, dhe një tregues të “zbrazëtisë së propagandës politike-mediatike kundër qeverisë dhe në fakt, kundër vetë Shqipërisë që ju e tregoni përditë si ferrin mbi tokë! Shqipëria dje triumfoi, doni s’doni”.