Banka Botërore ka tre këshilla për përballimin e situatës së papunësisë pas pandemisë Covid-19 për qeverinë shqiptare.
Menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim ka bërë një parashikim të problemeve që do të hasin qytetarët që kanë humbur vendin e punës për shkak të koronavirusit:
– Së pari, ekonomia e Shqipërisë duhet të krijojë vende të reja pune. Qeveria mund të ndihmojë duke e lehtësuar të bërit biznes në Shqipëri. Për të kapërcyer problemet e tregjeve, bizneset mund të ndihmohen me masa inteligjente mbështetëse.
– Së dyti, punonjësit mund të jenë të detyruar të gjejnë mundësi punësimi në sektorë të rinj. Këtu qeveria mund të ndihmojë nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke ndihmuar të përputhen kërkesat e të papunëve me vendet e reja të punës.
– Së treti, për aq sa punonjësit do të duhet të kalojnë në sektorë të rinj, do të duhet të investojnë në mësimin e aftësive të reja. Edhe këtu qeveria luan rol dhe mund të ofrojë mundësi trajnimi për ta lehtësuar këtë kalim nga një sektor në një tjetër.
Në intervistën e dhënë për A2CNN, Salim sugjeroi gjithashtu që programet e garancisë sovrane të qeverisë shqiptare të kthehen në skema të rregullta publike të garantimit të kredive për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë.