Deri më tani, në Shqipëri qytetarët nuk mund të bëjnë testime për Covid-19, me qëllim udhëtimin drejt vendeve që kërkojnë çertifikatë shëndetësore.
Shef i Laboratorit të Mikrobiologjisë Andi Koraqi sqaroi të hënën se ‘për momentin sistemi publik ka për qëllim të testojë për përcaktimin e diagnoses, jo për qëllime udhëtimi apo për gjëra të tjera.’
Në vend ka vetëm dy laboratorë të cilët mund të kryejnë teste, laboratori i Institutit të Shëndetit Publik dhe i laboratori i Qendrës Spitalore Universitare. Testimet bëhen sipas një rregulli epidemiologjik, duke gjurmuar personat e kontaktit të pacienteëve me Covid-19.
Siç Exit News ka raportuar më parë, shumë vende, si psh. Austria, të cilat po hapin kufijtë, i kërkojnë udhëtarëve çertifikatë mjekësore të 4 ditëve të fundit, ku vërtetohet se personi nuk është i infektuar. Kjo lloj çertificate për momentin nuk mund të merret nga laboratorët shtetërore në vend.