Prokuroria kërkoi rikthimin në burg të Saimir Gjepalit, pjesë e bandës së vëllezërve Avdyli në Shijak.
Ajo apeloi të mërkurën vendimin e gjykatës së Durrësit për të lehtësimin e masës së sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’ për Saimir Gjepalin.
Ndër të tjera Gjepali dhe banda Avdyli akuzohet dhe për laboratorin e heroinës në Has.
Vendimi për lehtësimin e masës së sigurisë u mor në 11 qershor nga gjyqtari Vladimir Skënderi.
Siç Exit News ka shkruar më parë, ka dyshime se Gjepali e ka ditur paraprakisht se gjyqtari Skënderi do ta lironte. Këto dyshime lindën pasi Gjepali kërcënoi një prej gardianëve disa ditë para vendimit.
Në 21 maj 2020, Gjepali dhe anëtarët e tjerë të bandës Hajri Seferi, Astrit Avdyli, Altin Avdyli, të cilët ishte në paraburgim në burgun 313, u përplasën me gardianët e burgut.
Përplasja ndodhi pasi gjatë një kontrolli të befasishëm në qelinë e bandës Avdyli u gjet një celular.
Gjatë përplasjes, një prej të arrestuarve i drejtuar gardianëve me kërcënimin:”Për 10 ditë unë jam jashtë! Mbaje mend fytyrën time! Do të takohemi”.
Pas kësaj ngjarjeje, drejtori i përgjithshëm i burgjeve i kërkoi gjykatës izolimin e grupit, por kërkesa u rrëzua me argumentin e prokurorit Ervin Karanxha se ndaj tyre kishte një masë izolimi.