Mbani maskë dhe respektoni shkencën, ka thënë Mateo Salvini të hënën, duke ndryshuar tërësisht qendrimin e tij, raporton Politico.eu.
“Maska duhet të përdoret kur të jetë e nevojshme … padyshim në ambiente të mbyllura, në tren, kur hipi në tren me vajzën time mbaj maskë … Shpresoj që të mund të kthehemi në normalitet sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha Salvini në një intervistë televizive.
Dhe për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë po infektohen nga virusi, mesazhi i tij ishte: “Përdorni trurin tuaj, mbani distancën dhe respektoni atë që shkenca na kërkon të bëjmë.”
Salvini, drejtuesi i partisë së dytë politike në Itali ka qënë kundra mbajtjes së maskës. Javën e kaluar, parlamenti i kërkoi Salvinit të mbante maskë gjatë seancave plenare, por ai ju përgjigjë se: “Unë nuk kam maskë dhe nuk e mbaj”.
Në një video të postuar në YouTube, një anëtar i stafit të Salvini i jep një maskë, por ai nuk e vendos atë. Presidentja e parlamentit, Maria Elisabetta Alberti Casellati, ka njoftuar një seancë dëgjimore paraprake për sjelljen e Salvini.
Sipas një artikulli të publikuar në gazetën italaine La Repubblica Salvini ka ndryshuar disa herë qendrim në lidhje me pandeminë. Kështu në shkurt, kur virusi filloi të godiste Italinë, ai bëri thirrje që vendi të mbyllej dhe të rriste kontrollet për të gjithë ata që vijnë dhe largohen. Disa ditë më vonë, ai bëri thirrje për të kundërtën, duke thënë se Italia duhet të “kthehet në normalitet.