Policia kosovare ka gjobitur për shkelje të rregullave kundër përhapjes së Covid-19, 923 individë, 80 për persona juridikë, si dhe ka dhënë 756 certifikata izolimi, raporton Radio Evropa e Lirë.
Gjatë javës së fundit janë kryer mbi 2,000 kontrolle në të gjithë territorin e Kosovës. Inspektorët shëndetësor, të mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, janë në patrullime çdo ditë nga ora 05:00 deri në mesnatë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, thotë se është e qartë se çdo ditë po regjistrohet një numër i lartë i të infektuarve, dhe këtë situatë ai e ndërlidh me faktin e mosrespektimit të masave nga ana e të rinjëve.
“Ekipet e inspektimit dhe policisë kanë shqiptuar një numër të madh gjobash për qytetarët ditët e fundit për mosrespektimin e masave. Të gjithë jemi përgjegjës për situatën epidemiologjike në vend, institucionet, bizneser dhe vetë qytetarët ”, tha Hoti në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Më 28 korrik, qeveria miratoi masat e fundit me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit ku parashikohet lëvizje e kufizuar e qytetarëve nga ora 10:30 deri 05:00 në disa komuna që kanë një numër të lartë të personave të infektuar. Një nga masat është mbajtja e detyrueshme e maskës.
Të hënën në Kosovë u shënuan 7 vdekje dhe 250 raste të reja me koronavirus.