Sot, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj prezantoi projektin e ri për sheshin Skërnderbej. Zbatimi i projektit do të nisë në qershor, pasi të diskutohet me qytetarët e Tiranës, dhe do të përfundojë pas 12 muajsh.
Elementët kryesorë të projektit janë:
- Sheshi Skënderbej do të kthehet në një hapësirë vetëm për këmbësorët, pa makina;
- Në shesh do të ketë 11 lulishte të ndryshme dhe të pavarura nga njëra tjetra;
- 41 mijë m² sipërfaqe që aktualisht është shesh dhe trotuare do të shtrohen me gurë natyralë me trashësi 10-12 centimetra. Këto gurë do të merren nga të gjitha krahinat shqiptare;
- Në sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulta, 900 pemë të larta, 520 drurë frutorë dhe 35 mijë rrënjë lulesh;
- Do të shfrytëzohet uji i shiut për të vaditur bimësinë, si dhe për shatërvanët. Gjithsej do të jenë 2100 m³ rezervuare për të mbajtur ujin e shiut;
- Godinat publike përreth sheshit do të ndriçohen me anë të një sistemi panelesh diellore dhe me ndriçues të vegjël;
- Për ndërtimet në shesh do të angazhohen 950 punëtorë.