A do e mandatojë Ramën nëse del forcë e parë, Meta: Diskutojmë pas zgjedhjeve

Nga Exit News
A do e mandatojë Ramën nëse del forcë e parë, Meta: Diskutojmë pas zgjedhjeve

Presidenti Meta është pyetur të shtunën nëse do të dekretojë kryeministrin Rama në krye të qeverisë për herë të tretë nëse Partia Socialiste del forcë e parë nga zgjedhjet e 25 prillit.

“Kjo është një çështje që do ta diskutojmë pas zgjedhjeve”, tha Meta duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare për një pyetje e cila interpretohet ndryshe nga forca të ndryshme politike.

Kushtetuta përcakton se të drejtën për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve e ka kandidati i partisë apo koalicionit që merr më shumë vende në Kuvend në zgjedhje.

Më herët, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi janë shprehur se Presidenti Meta mund të mandatojë për formimin e qeverisë një kandidatë të propozuar nga PD dhe LSI bashkë, dhe jo kryetarin e PS-së edhe nëse PS del parti e parë ne zgjedhjet e 25 prillit.

Përfaqësuesit e opozitës e kanë intepretuar gjerësisht fjalën “koalicion” duke e konsideruar si të tillë edhe marrëveshjen gojore mes partive

A mundet presidenti të mos mandatojë Ramën kryeministër nëse PS del parti e parë?

Së pari, Kushtetuta parashikon se kryeministri propozohet nga partia ose koalicioni që ka marrë më shumë vota. Nëse PD dhe LSI garojnë më vete dhe jo si koalicion zgjedhor, atëhere partia apo koalicioni fitues do të zgjidhet mes PS (dhe koalicionit të vogël të saj), PD-së (dhe koalicionit të vogël të saj) dhe LSI-së (dhe koalicionit të vogël të saj).

Që PD dhe LSI, të fitojnë bashkarisht si koalicion, të drejtën për të formuar qeverinë duhet të formojnë koalicion sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.

Kodi parashikon se koalicioni përbëhet nga dy ose më shumë parti, që garojnë në të gjithë vendin si një subjekt i vetëm zgjedhor me një listë të përbashkët kandidatësh. Pra, duhet që Partia Demokratike dhe LSI të rregjistrohen në KQZ si koalicion me një listë të përbashkët.

Kodi Zgjedhor përcakon dhe njeh si koalicion zgjedhor vetëm atë që formohet para zgjedhjeve, dhe jo marrëveshjet pas zgjedhore.

PD dhe LSI garojnë me lista të veçanta në zgjedhje pra nuk ka koalicion zgjedhor mes PD-së dhe LSI-së në kuptimin e Kodit Zgjedhor dhe për rrjedhojë as në kuptimin kushtetues të fituesit të zgjedhësve që merr të drejtën e formimit të qeverisë.

Në këto kushte, nuk ka asnjë mundësi ligjore që Presidenti Meta të anashkalojë PS-në nëse ajo fiton më shumë vende në Kuvend se sa PD apo LSI (nga secila veçmas), edhe nëse numri i deputetëve të këtyre dy të fundit bashkarisht mund të jetë më i madh se i atyre të PS-së.

Në këtë rast, PD dhe LSI mund të fitojnë të drejtën të formojnë qeveri vetëm pasi të ketë dështuar Partia Socialiste.

Kushtetuta parashikon se në rast se kandidati i parë për kryeministër nuk arrin të sigurojë një shumicë prej 71 votash në Kuvend, Presidenti duhet të zgjedhë një kandidat tjetër për kryeminsitër. Por ajo nuk përcakton nëse kandidati i dytë duhet të jetë sërish nga partia e parë apo i kalon partisë së dytë.

Sidoqoftë, Kushtetuta është e qartë në raundin e tretë. Nëse edhe kryeministri i dytë nuk arrin të miratohet nga Kuvendi, atëherë e drejta për të caktuar dhe zgjedhur Kryeministrin i takon Kuvendit. Në këtë raund është e qartë se PD dhe LSI, nëse kanë fituar bashkarisht më shumë vota se PS, mund të formojnë një koalicion qeverisës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>