A mund të ketë në botë kompani publike të turpshme si kjo?

A mund të ketë në botë kompani publike të turpshme si kjo?

Ish-Kryeministri Berisha akuzoi para pak ditësh kompaninë publike të shpërndarjes së energjisë, OSSHE, për rritje të pajustifikuar të pagave të drejtuesve të lartë. OSSHE u kundërpërgjigj me deklaratë publike të titulluar “Reagim ndaj deklaratave te deputetit Berisha”, e cila fillon si më poshtë:

Nuk është aspak çudi. Heshtën e nuk thanë asnjë fjalë për vrasjen barbare të elektricistit Zamir Velaj në krye të detyrës. Pas katër ditë heshtjeje, spekulanti dixhital Sali Berisha i rikthehet sportit të zakonshëm ndërsa tenton tu hedhë hi syve shqiptarëve duke akuzuar OSHEE-në se ka rritur pagat e drejtuesve të saj.

Duke hedhur poshtë këto sajesa të qëllimshme, OSHEE sqaron opinionin publik se paga e Administratorit dhe ato të nivelit të lartë drejtues nuk kanë ndryshuar por janë të njëjtat paga të caktuara me Vendimin Nr. 21, datë 18.02.2013 të Entit Rregullator të Energjisë. Janë pagat e përcaktuara që në kohën kur qeveria drejtohej nga Partia Demokratike e spekulantit dixhital dhe Kryetar i ERE ishte Sokol Ramadani, ndërsa Administrator i Shoqërisë së Shpërndarjes së Energjisë ishte Sahit Dollapi.

Është një deklaratë ku përzihet vulgariteti me qasjen sovjetikase të aparatçikëve komunistë që tregonin më shumë “partishmëri” dhe armiqësi ndaj elementëve jopartiakë edhe se udhëheqësit më të lartë komunistë. Ose deklarata është shkruajtur në zyrën e Kryeministrit Rama, në stilin e zakonshëm të të cilit ajo ngjan.

Sido që të jetë, është e patolerueshme që një deklaratë e tillë bëhet nga një ndërmarrje publike, e cila jo vetëm duhet të jetë e departizuar dhe depolitizuar, por duhet të respektojë të gjitha institucionet publike, e aq më tepër parlamentarët. Rrugaçëria publike me paratë e taksapaguesve nuk duhet të tolerohet.

Është edhe më i rëndë fakti se ky është qëndrim i përsëritur i drejtuesve të OSSHE-së sikur kemi komentuar këtu.

Politika u takon partive, jo ndërmarrjeve publike. Sjellja e OSSHE-së nuk është e denjë as për diktaturat injorante afrikane e jo më për një vend në mes të Evropës që pretendon të bëhet anëtar i BE-së. Përpiquni të imagjinoni një çast një menaxher publik gjerman apo hollandez t’i drejtohet me këtë gjuhë ndonjë politikani çfarëdo e aq më pak deputetëve si drejtuesit e OSSHE-së. E vështirë të imagjinohet.

Kjo është një ngjarje e cila nuk tërheq aspak vëmendje publike dhe aq më pak zemërim dhe reagim. Por është një ngjarje që nuk duhet të tolerohej, pasi është shenjë e degradimit të administratës publike në shërbim të politikës dhe korrupsionit të cilat duhet të ndalen. Ndërsa mund të mos jetë çudi që ministra apo politikanë të përdorin gjuhë të ashpër kundër njëri-tjetrit, qasjet agresive, rrugaçërore dhe partiake nga institucionet publike janë të palejueshme dhe duhet të ndalen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>