A mundet Meta të mos mandatojë Ramën kryeministër nëse PS del parti e parë?

Nga Exit News
A mundet Meta të mos mandatojë Ramën kryeministër nëse PS del parti e parë?

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi la të nënkuptohet në një koment, në emision Ilva Now në Euronews se Presidenti Meta mund të mandatojë për formimin e qeverisë një kandidatë të propozuar nga PD dhe LSI bashkë, dhe jo kryetarin e PS-së. Ky skenar mund të ndodhë edhe nëse PS del parti e parë ne zgjedhjet e 25 prillit.

Këtë koment e ka bërë dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në emisionin ‘Open’ disa ditë më parë.

Kushtetuta përcakton se të drejtën për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve e ka kandidati i partisë apo koalicionit që merr më shumë vende në Kuvend në zgjedhje.

Bylykbashi dhe Kryemadhi e intepretojnë gjerësisht fjalën “koalicion” duke e konsideruar si të tillë edhe marrëveshjen gojore mes partive

“Koalicioni që fiton, e keni në Kushtetutë, që pavarësisht se ti nuk shkruan koalicion, marrëveshjet paraprake quhen koalicion,” u shpreh Kryemadhi.

“Tashmë ka ndryshuar Kushtetuta, partia ose koalicioni që ka më shumë mandate, i propozon presidentit kryeministrin. Koalicioni është marrëveshje politike, nuk ka të bëjë me koalicionin zgjedhor”, u shpreh Bylykbashi.

Por, këto deklarata nuk mbështeten  në ligjet e vendit.

Së pari, Kushtetuta parashikon se kryeministri propozohet nga partia ose koalicioni që ka marrë më shumë vota. Nëse PD dhe LSI garojnë më vete dhe jo si koalicion zgjedhor, atëhere partia apo koalicioni fitues do të zgjidhet mes PS (dhe koalicionit të vogël të saj), PD-së (dhe koalicionit të vogël të saj) dhe LSI-së (dhe koalicionit të vogël të saj).

Që PD dhe LSI, të fitojnë bashkarisht si koalicion, të drejtën për të formuar qeverinë duhet të formojnë koalicion sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.

Kodi parashikon se koalicioni përbëhet nga dy ose më shumë parti, që garojnë në të gjithë vendin si një subjekt i vetëm zgjedhor me një listë të përbashkët kandidatësh. Pra, duhet që Partia Demokratike dhe LSI të rregjistrohen në KQZ si koalicion me një listë të përbashkët.

Kodi Zgjedhor përcakon dhe njeh si koalicion zgjedhor vetëm atë që formohet para zgjedhjeve, dhe jo marrëveshjet pas zgjedhore.

Kryemadhi ka pohuar disa ditë më parë se PD dhe LSI do të garojnë me lista të veçanta në zgjedhje.

Kjo do të thotë se nuk do të ketë koalicion zgjedhor mes PD-së dhe LSI-së në kuptimin e Kodit Zgjedhor dhe për rrjedhojë as në kuptimin kushtetues të fituesit të zgjedhësve që merr të drejtën e formimit të qeverisë.

Në këto kushte, nuk ka asnjë mundësi ligjore që Presidenti Meta të anashkalojë PS-në nëse ajo fiton më shumë vende në Kuvend se sa PD apo LSI (nga secila veçmas), edhe nëse numri i deputetëve të këtyre dy të fundit bashkarisht mund të jetë më i madh se i atyre të PS-së.

Në këtë rast, PD dhe LSI mund të fitojnë të drejtën të formojnë qeveri vetëm pasi të ketë dështuar Partia Socialiste.

Kushtetuta parashikon se në rast se kandidati i parë për kryeministër nuk arrin të sigurojë një shumicë prej 71 votash në Kuvend, Presidenti duhet të zgjedhë një kandidat tjetër për kryeminsitër. Por ajo nuk përcakton nëse kandidati i dytë duhet të jetë sërish nga partia e parë apo i kalon partisë së dytë.

Sidoqoftë, Kushtetuta është e qartë në raundin e tretë. Nëse edhe kryeministri i dytë nuk arrin të miratohet nga Kuvendi, atëherë e drejta për të caktuar dhe zgjedhur Kryeministrin i takon Kuvendit. Në këtë raund është e qartë se PD dhe LSI, nëse kanë fituar bashkarisht më shumë vota se PS, mund të formojnë një koalicion qeverisës.

Nëse Kuvendi dështon në miratimin e kandidatit të propozuar prej tij për Kryeministër, atëherë Kushtetuta e detyron presidentin të shpërndajë Kuvendin dhe shpallë zgjedhje të reja.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>