A po mbyllet Shqipëria në vetvete mediatikisht?

Nga Dritan Sakuta
A po mbyllet Shqipëria në vetvete mediatikisht?

Kohët e fundit me zhvillimet në vend, e gjithë vëmendja është përqëndruar se çfarë ndodh brenda vendit dhe jo jashtë kufinjve të tij. Ajo që lë më shumë për të dëshiruar në Shqipëri është fakti se çdo ditë e më shumë po provohet se pushteti i katërt, pra Media, është e korruptuar dhe e politizuar. Edhe nëse e marrim në këtë prizëm prapë nuk shpjegohet fakti se tendenca për të lënë në heshtje atë që ndodh jashtë, bie në sy. Çfarë po ndodh vërtet me median dhe aftësinë për të përcjellë një lajm që ka lidhje direkt apo indirekt me Shqipërinë?!

Disa ditë më parë ndodhi raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë. Le Pen dhe Macron arritën që të jenë në finale për garën presidenciale e cila mbart një peshë të madhe me rritjen e populizmit në “barkun” e Bashkimit Evropian. Këto zgjedhje do të jenë vendimtare deri diku për të ardhmen e BE-së. Për Shqipërinë si një vend i cili kërkon të hapë bisedimet me Bashkimin Evropian, këto zgjedhje kanë një rol tepër të rëndësishëm.

Vura re se në dy televizione të mëdha italiane, ishin të ftuar deputetë dhe analistë të ndryshëm të cilët analizonin dhe komentonin çdo ndryshim që sillnin numërimet. Vlen për tu theksuar se kjo nuk ishte vetëm “sa për të mbushur” rubrikën, ashtu siç rëndom ndodh në vendin tonë, por ishte për njerëzit të cilët ndoshta nuk kishin kuptuar programet e secilit kandidat në lidhje me Evropën, që të kuptonin më mirë se çfarë përfaqësonin këto zgjedhje për bashkimin ekonomik në të cilin ata bëjnë pjesë.

U mundova shumë që të gjeja në televizionet shqiptare një analizë të tillë dhe me një shpjegim që çdokush ta kuptonte, por fatkeqësisht nuk gjeta asgjë. Çfarë po ndodh me cilësinë e lajmeve në Shqipëri? A kanë mbetur lajme veç skandalet seksuale të të ashtuquajturve VIP-a? Si është e mundur që kjo e ashtquajtura “elitë” të cilën e shohim shumë të aftë për të zënë vendet për analizën e skandaleve rozë, të mos ketë në gjirin e saj një analist e opinionist të aftë për të ndjekur se çfarë ndodh jashtë Shqipërisë?

Të kemi mbetur vallë vërtet veç në dorën e disa pseudo-analistëve dhe pseudo-gazetarëve të cilët duket se dhe kur bëjnë një analizë, nuk e kanë idenë se çfarë po thonë ose me shumë mundësi e lidhin me situatën politike nëShqipëri?!

Mos ndoshta jemi duke e mbyllur vendin nga çdo gjë që po ndodh jashtë dhe këtë po e bëjmë “padashje” sepse media jonë i jep shumë rëndësi se çfarë bën e majta apo e djathta dhe ata zgjedhin të rrinë mbyllur në flluskën e tyre të sapunit.

Ky nuk është veç një nga dështimet e pushtetit të katërt në vend. Ato shtrihen akoma më tej duke mos pasqyruar situatën aktuale në vend ashtu siç është. Sa e sa protesta apo marshime media nuk ka mbuluar?! Sa e sa kronika në të cilat media ka ndikuar duke mbajtur anën e asaj partie që mbron interesin e saj! Fjala e duhur është thjesht “shumë”.

Guxoj të them se duhet një riformatim i plotë i këtyre mediave që të kenë besueshmërinë që kanë pasur më parë. Disa prej tyre të kthyera në perandori mediatike, kanë filluar të shohin fundin e tyre dhe nuk besoj se ka gjë më të trishtë sesa të shohësh një media së cilës i ke besuar më parë, të kthehet ne shkatërruesen e vetes së saj. Nga gjithë këto mendime, e vetmja pyetje që më ngelet në kokë është: A po mbyllet Shqipëria në vetvete mediatikisht?!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>