Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar të enjten se zgjedhjet e shpeshta janë të mërzitshme e të kushtueshme për taksapaguesit.
Si rrjedhim, partia që ai tashmë drejton, do të angazhohet në formimin e institucioneve të reja në Kosovë, raporton Radio Europa e Lirë.
“LDK-ja synon t’i shmangë zgjedhjet. LDK-ja synon të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe LDK-ja synon që këto institucione të jenë demokratike, por edhe t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e presidentit”, u shpreh Abdixhiku para gazetarëve.
Lidhur me votimin e postit të presidentit në Kuvendin e Kosovës, ai ka përsëritur qëndrimin e mbajtur më parë se çështja do të vendoset nga organet e partisë.
“Besoj që gjatë fundjavës do t’i formojmë organet e partisë, siç është kryesia e partisë, dhe aty e marrim vendimin për të gjitha çështjet, në koordinim të plotë me grupin parlamentar të LDK-së,” tha ai.
Absixhiku gjithashtu shtoi se qëndrimi i tyre do të varej edhe nga takimi i së premtes mes tij, presidentes në detyrë Kosovë, Vjosa Osmanit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.
Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.