Aeroporti i Vlorës do të mbështetet nga BERZH

Nga Exit News
Aeroporti i Vlorës do të mbështetet nga BERZH Aeroporti Vlores

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të financojë ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Kryeministri Rama, dje gjatë fjalës së tij në Samitin e BERZH në Londër, veçoi aeroportin e Vlorës si një prej projekteve për të cilat Shqipëria kërkon investime nga BERZH .

Burime për Exit News kanë konfirmuar se BERZH i është përgjigjur kërkesës së kryeministrit Rama.

Rama prej 3 vitesh ka premtuar se aeroporti i Vlorës do të ndërtohet së shpejti. Aktualisht qeveria ka hapur tenderin për të dhënë me koncesion ndërtimin dhe operimin e aeroportit për 35 vjet.

Me ndërhyrjen e BERZH, nuk dihet ende se cila do të jetë formula që do të ndiqet nga qeveria Rama për këtë projekt.

Më poshtë, Exit News sjell ‘historikun’ e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

Më 10 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e tenderit për bërjen e studimit e bëshmërisë për aeroportin e Vlorës. Tenderi u fitua nga Seed Consulting, me një ofertë sa 98.6 për qind e buxhetit maksimal të vënë në dispozicion.

Seed Consulting është në pronësi të pronarëve të Atelier 4, një studio arkitekture që ka qenë e përfshirë ngushtë me projektet e rilindjes urbane të Ramës, që kur ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës.

Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga konsorciumi turk. Të tre kompanitë në konsorcium, Cengiz Construction, Kalyon Construction dhe Kolin Construction, kanë lidhje të ngushta me regjimin e presidentit turk Erdoğan.

Kërkesa erdhi para se të publikohej studimi i bëshmërisë së aeroportit dhe pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare. Sipas Ramës, puna për ndërtimin e aeroportit do të fillonte në qershor 2018.

Më 11 prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë e re:

“Konfirmojmë zyrtarisht se do të ketë një garë ndërkombëtare për ‘Vlora International Aeroport pasi interesi është i madh nga investitorët. Dhe ky proces do të përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe elementët e transparencës.”

Më 15 shtator 2019, Kryeministri lajmëroi zyrtarisht se konsorciumi turk është larguar dhe studio e preferuar e kryeministrin, Archea ka kryer projektin e ri.

“Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me konsorciumin që shprehu interes për realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, u angazhuam drejtëpërdrejt në bërjen e projektit për të mos humbur tjetër kohë të çmuar.

Falë një pune voluminoze në bashkëpunim me një skuadër ndërkombëtare ekspertësh nën drejtimin e studios së famshme ARCHEA, kemi në dorë një projekt ambicioz të standarteve më të larta teknike e arkitektonike.”

Më 16 shtator 2019, Kryeministri prezantoi projektin në Vlorë dhe tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do ta ndërtonte ndonjë firmë ndërkombëtare apo me paratë e buxhetit të shtetit.

“Po studiojmë paralelisht dy opsione, ose qysh në fazën e ndërtimit me një kompani serioze ndërkombëtare ose do ta ndërtojmë vetë, me buxhetin e infrastrukturës dhe pastaj do të përzgjedhim operatorin ndërkombëtar. Sepse s’kemi më kohë për të humbur dhe NE PRANVERE DUAM TE HAPIM KANTIERIN.”

Ai tha se pista e aeroportit të Vlorës do të jetë më e madhe se e Tiranës, dhe do të kthehet në një qendër ekonomike

Në dhjetor 2019, qeveria hapi tenderin për aeroportin e Vlorës.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë është 12 mars 2020.

Ministrja e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se koncesioni do të zgjasë për 35 vite dhe se punimet për ndërtimin e tij pritet të fillojnë në 31 maj 2020.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme