Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj shprehu shqetësimin se qindra mijëra shqiptarë rrezikojnë të pushohen nga puna në rast se qeveria nuk merr masat e duhura për të rihapur ekonominë.
Në një bisedë me gazetarin Mustafa Nano, Zoti Shehaj tha se kryeministri Rama mori që në fillim masa të rrepta për të shpëtuar jetë njerëzish, por pa pasur parasysh pasojat ekonomike:
“Si fillim është normale që të kujdesimi për të mos humbur jetë njerëzish, por sigurisht hapi i dytë është që qytetarët të kenë mundësi të vazhdojnë jetën e përdishtme dhe kjo është sfida.
Ne rrezikojmë pushime masive nga puna dhe kjo ka ndodhur edhe pse nuk dihet saktësisht sa janë të pushuar nga puna. Unë mendoj që të paktën 200 mijë persona janë të pushuar nga puna.”
Duke folur për paketat e ndihmës prezantuar nga Rama, Shehaj tha se janë të pamjaftueshme dhe nuk sigurojnë të ardhura të mjaftueshme as për bizneset e prekura dhe as për qytetarët që kanë mbetur pa rroga.
Ai vlerësoi se kriza ekonomike do të zgjasë gjatë gjithë vitit dhe se sektori i turizmit do të jetë më i prekuri, ndërsa bizneset më pak të prekura do të jenë ata që kanë fituar koncesione dhe paguhen nga qeveria:
“Ka një pjesë që nuk janë të penalizuar, ata që kanë fituar koncensionet nuk penalizohen i kanë të ardhurat e garantuara çfarëdo që të ndodhi. Këto biznese që kanë këto koncensione janë më të sigurt, më fitimrurës dhe nuk u ndodh asgjë.”