Pasi mjekët e falenderuan për dhurimin e respiratorëve dhe pajisjes së dializës, politikani dhe sipërmarrësi Agron Shehaj u përgjigjet mjekëve me respekt dhe përulësi.
“Jam unë që duhet t’ju falenderoj ju Dr. Alma, Dr. Perlatin, Dr. Silvanën dhe gjithë personelin shëndetësor të Shefqet Ndroqit dhe spitaleve të tjera për përpjekjet tuaja të mëdha për të mbrojtur jetët tona,” ka shkruar Shehaj në një mesazh në Facebook.
“Këto ditë të vështira, ne jemi të gjithë me ju,” ka pohuar ai.
Paraditen e së mërkurës, Shehaj i ka dhuruar dy pajisje respiratore dhe një aparat dialize spitalit Covid-2, ku po trajtohen mbi 200 pacientë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Shefja e reanimacionit të spitalit Alma Cani Ansary, falenderoi publikisht Shehajn në emër të gjithë spitalit, duke theksuar rëndësinë e madhe të këtyre pajisjeve për të shpëtuar jetë.
Respiratorët janë aparaturat jetike për mbajtjen në jetë të të sëmurëve rëndë, dhe numri i tyre në spitalet tona është i kufizuar.
Ndërsa aparati i dializës do të shërbejë për ata pacientë të cilët Covid-19 i prek dhe veshkat, si dhe do t’i mbetet spitalit për trajtimin e të sëmurëve edhe pasi pandemia të përfundojë.