Agron Shehaj, qeveria vetëm €12 milionë biznesit të vogël, €22 milionë oligarkëve

Nga Exit News
Agron Shehaj, qeveria vetëm €12 milionë biznesit të vogël, €22 milionë oligarkëve

Partia Demokratike e cilëson të papërfillshëm për biznesin, zotimin e qeverisë për të marrë përsipër 13 milionë euro paga të rreth 60 mijë punonjësve të biznesit të vogël. PD thekson se qeveria duhet të ndërpresë financimin e aktiviteteve pa prioritet dhe të mbështesë krejtësisht biznesin.

Ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj, analizoi në Facebook se shuma që do t’u japë qeveria njerëzve që kanë humbur rrogën nga kriza e epidemisë së koronavirusit “është qesharake” dhe se “edhe mëshira kushton më tepër”.

“Nga rreth 500 mijë të punësuar në sektorin privat, vetëm 60 mijë persona do të marrin një pagë minimale, po të paktën 100 mijë të tjerë që u janë mbyllur punët?! Shpejt do bëhen 200 mijë e ndoshta më shumë.

Duhen të paktën 60 milionë euro në muaj për pagat e humbura nga kriza, rreth 30% e vlerës totale të pagave mujore.”

Shehaj këshillon qeverinë të ndërpresë shpenzimet e panevojshme dhe financimet e aktiviteteve pa prioritet.

“Javën e shkuar [qeveria] pagoi plot 22 milionë euro direkt në llogaritë e oligarkëve. Vetëm inceneratorit të Fierit i ka dhënë më shumë se kaq pa filluar akoma të ndërtohet. Oligarkët dhe klientët e tij nuk kanë asnjë krizë; i marrin të gjitha paratë qindarkë më qindarkë. Sakrifica është për njerëzit e thjeshtë dhe të vuajtur.”

Kryeministri Rama u zotua pasditen e së martës se do të vinte në dispozicion një fond prej 1,57 miliardë lekësh (rreth 12,7 milionë euro) për të paguar 60,440 punonjës të biznesit të vogël.

Nga shifrat nënkuptohet se qeveria do të marrë përsipër pagën minimale prej rreth 26 mijë lekësh. Për shkak të epidemisë së koronavirusit biznesi i vogël ka mbyllur aktivitetin duke krijuar vështirësi ekonomike.

Në Shqipëri deri më sot janë diagnostikuar 123 të infektuar me koronavirus, prej së cilëve 5 kanë vdekur dhe 10 janë riaftësuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>