Ahmetaj shfaq hapur ambiciet e tij

Ahmetaj shfaq hapur ambiciet e tij

Në daljen e tij të parë jashtë vendit si përgjegjës i financave, Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Zoti Ahmetaj, që sapo ka kurorëzuar ëndrrën e tij për të zëvendësuar Shkëlqim Canin në postin e Ministrit të Financave, ka shpalosur, menjëherë, të gjithë njohuritë e tij mbi ekonominë dhe politikën, duke ndërhyrë në fushën e Kryeministrit duke dhënë konsiderata të gjera mbi problemin e refugjatëve në Europë, dhe atë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë duke folur për normat e interesit. Në të dyja rastet, ka treguar se cilat janë zgjidhjet e drejta e të duhura.

Sipas Zotit Ahmetaj, nëse Maqedonia do të vendosi të mbylli kufijtë për refugjatët, duke i drejtuar ata drejt Shqipërisë, edhe Shqipëria mund të bëjë të njejtën gjë si vendet e tjera të Ballkanit, pra të mbyllë edhe ajo kufijtë, por—shprehet në mënyrë të sigurtë Ahmetaj—“Shqipëria nuk do të dalë e vetme dhe do të koordinohet me pjesën tjetër të BE-së.”

Por, Ministri Ahmetaj nuk ka kohë për të humbur dhe është i vetëdijshëm që detyra e tij e parë është ajo e “ndezjes” së ekonominë shqiptare, e cila po fillon të lëvizë pasi u godit nga rënia e çmimit të naftës dhe nga kriza e Greqisë, si dhe nga një betejë çoroditëse kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Sipas Ahmetajt, Shqipëria po jeton një rritje të vazhdueshme të investimeve të huaja, po bën progres falë kredisë prej 330 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe si dhe për uljen e borxhit, fakt që u vlerësua nga Standard&Poors që e rriti vlerësimin e Shqipërisë në B+.

Edhe në këtë rast Ahmetaj ka ambiciet dhe zgjidhjet e duhura. “Një rritje prej 3,5 përqind në vitin 2016 është një ritëm i mirë, por objektivi jonë është të rritemi me katër përqind në vitin 2017,” është shprehur ai. Por për të arritur këtë duhet shtyrë Banka e Shqipërisë të ulë normat e interesit—aktualisht në nivelin më të ulët historik në 1,75 përqind—për të paktën dhe një vit tjetër, “sepse mund të shtyjë përpara investimet.”

Ministri Ahmetaj duhet të ketë lexuar diku në ndonjë material teorik këtë gjë, por, mesa duket, nuk e ka vënë re fare që uljet e normës së interesit në lek—të aplikuara disa herë gjatë viteve të fundit nga Banka e Shqipërisë—nuk kanë dhënë asnjë rezultat, sepse bankat private shqiptare kanë shumë likuiditet dhe nuk kanë asnjë interes të financohen nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, ato kanë shënuar ulje të vazhdueshme të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve, qoftë për shkak të tregu të brendshëm të pasigurtë, qoftë edhe për për shkak të politikave gjithnjë e më shumë të ngurta të detyruara nga sistemi bankar për të zbutur rritjen e papërmbajtshme të kredive të këqija.

Por, qytetarët shqiptarë nuk duhet të shqetësohen shumë gjatë, pasi tashmë ministri Ahmetaj ka dëshmuar me këtë intervistë që ka një objektivi të ri, atë të Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Ose ndoshta ka shënjestruar Çmimin Nobel për ekonominë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>