Aksioni shtetëror që mori peng opinionin publik

Nga Kristi Pinderi
Aksioni shtetëror që mori peng opinionin publik

Ditën e djeshme u finalizua para syve të të gjithë shqiptarëve, live, në televizion, një aksion i mirëfilltë shtetëror që kishte filluar me shpejtësi ditë më parë, kur rasti i Xhisielës për pak sa nuk doli nga kontrolli.

Gjurmët e para të këtij aksioni për të minimizuar dëmin mund t’i shikojmë që ditën kur Karlo Bolino lëshoi gazetarin e shqetësuar jo për dhunën, po për emrin e Taulant Ballës.

Por akti më dramatik i këtij aksioni të mirëorganizuar shtetëror ndodhi dje.

Në mëngjes nuk kishte as edhe një shqiptar të vetëm që të kishte dyshim se vajza ishte dhunuar dhe se djali i një njeriu të pushtetshëm ishte autori i dhunës. Nuk kishte as edhe një dyshim të vetëm për faktin që për muaj të tërë historia ishte mbajtur e fshehur, që policia, prokuroria, psikologia, edhe çdo autoritet tjetër shtetëror kishin marrë pjesë në fshehjen e ngjarjes, e për pasojë ishin bashkëfajtorë dhe bashkëautorë të dhunës ndaj vajzës.

Deri në mëngjes ishte plotësisht e qartë se pushteti i Edi Ramës kishte në dorë policinë, se ata në polici që nuk i kontrollonte dot ia kishin mbathur dhe se kryeministri i quante horra që do i ndiqte këmba këmbës (një analogji e përkryer kjo me sjelljen e vëllait të madh Erdogan në Turqi), se prokurorinë e kishte gjithashtu në dorë, se kishte me vete edhe pjesën më të madhe të medias të cilën e kontrollon përmes parave të buxhetit të shtetit, etj.

Të vetmin faktor që në të tilla situata është vendimtar e që pushteti kriminal i Edi Ramës nuk e kishte, ishte opinion publik. Ndaj, ajo që pamë dje në darkë ishte aksioni shtetëror që kishte si target sulmi pikërisht kompaktësinë e opinionit publik.

E morën vajzën me makinë, e lanë në derën e Top Channel. Pastaj e morën prapë dhe e çuan në studion e TV Klan. Para se vajza të braktiste Fevziun kur ky do e ballafaqonte me ekspertizën mjeko-ligjore, në rrjetet sociale filluan të dukeshin rezultatet e para të aksionit shtetëror:

“E njoh shumë mirë unë tipologjinë e vajzave të tilla”, më shkruante një mikja ime gazetare.

“Historia nuk besoj se është përdhunim”, më thoshte një tjetër shok që vazhdon të jetojë e punojë në Shqipëri.

Psikologët studiojnë një reagim shumë interesant të qënies njerëzore. Në trurin tonë ka një element kimik, të zbuluar nga studiues të Universitetit të Kembrixhit që na mundëson neve të fshijmë krejtësisht episode të rënda në kujtesën tonë. Por përpara se të ndodhë kjo, duhet që secili të mund t’i filtrojë dhe t’i izolojë këto episode të këqija në mënyrë që t’i targetojë më kollaj.

Është mekanizmi ynë mbrojtës që funksionoi edhe dje në darkë. Një grua a burrë që po rrit vajzën e vet në Shqipëri e ka më të lehtë të përballojë mendimin se ajo që pa dhe dëgjoi këtë javë ishte vetëm një kapriço e një vajze të lëkundur e xheloze. Për prindërit e fëmijëve që po rriten në Shqipëri do të ishte shumë e rëndë të pranonin se në fakt, jetojnë në një vend ku krimi është i mbrojtur nga shteti e se askush, as edhe një i vetëm, nuk është më i sigurt.

Në këtë mënyrë falë operacionit shtetëror të djeshëm që e mori vajzën me makinë dhe e çoi nga një studio në tjetrën, u krye live një sulm ndaj opinionit publik, që për fatin tonë të keq ishte një sulm i mirëpritur nga shumë pjesëtarë të dobët të shoqërisë sonë. Nga e gjithë java, shumë vetë, tani, e kanë harruar se çfarë ndodhi në të vërtetë.

E harruan që vajza u rrah, iu fikën cigare në trup, se vajza u çua në mes të ditës në një hotel ku ra pa ndjenja, se vajza shkoi komisariat më komisariat se nuk ia pranonin denoncimin, se një psikologe e marrë me urgjencë nga pushimet e verës u detyrua të shkruante broçkulla, se mjekësia ligjore vërtetoi që ajo ishte dhunuar, që vetë kryeministri e pranoi që ajo ishte dhunuar, etj.

Këto nuk do mbahen më mend nga shumë vetë pavarësisht se në këto vite të qeverisë së Edi Ramës të gjitha akuzat ndaj tij kanë rezultuar të vërteta.

Ministri i Ramës udhëtonte me trafikantët e drogës; në gjithë territorin e vendit mbillej drogë nën monitorimin dhe mbrojtjen shtetërore; në bregdet e në shumë pika të tjera ndërtoheshin pista për transportin e drogës; në Kuvend zgjidheshin njerëz që dikur kishin drejtuar organizata të shfrytëzimit të grave për prostitucion, nëpër qytetet e vendit zgjidheshin kryetarë bashkie që dikur kishin përdhunuar vajza në grup; që gjithë qeveria dhe bashkia viheshin në funksion të një akti të paligjshëm për të grabitur tokën publike, etj etj.

Një opinion publik që përbëhet nga njerëz të shëndetshëm, por po aq edhe nga njerëz që për tu vetmbrojtur duan të harrojnë, është një opinion publik i përçarë, të cilin Edi Rama dhe Endri Fuga mund ta kontrollojë më kollaj.

Duke qenë se të gjitha këto me kohën janë fakte që tregojnë se ka ndodhur pikërisht kështu, unë sot e kam më kollaj ta besoj Emiljano Nuhun kur e përshkruan me detaje se çfarë ka ndodhur, e sidomos e kam të qartë si para syve momentin kur ai ndodhet me pistoletë në kokë në zyrën e shtetit, i kërcënuar për të mos bërë punën e tij, nga vëllai i një deputeti të Ramës, teksa po aty në zyrë fliste me ironi e cinizëm kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e thoshte: “Hiqe pistoletën se është djalë i mirë ky, nuk bën këto gabime”.

Një opinion publik që përbëhet nga njerëz të shëndetshëm, por po aq edhe nga njerëz që për tu vetmbrojtur duan të harrojnë, është një opinion publik i përçarë, të cilin Edi Rama dhe Endri Fuga mund ta kontrollojnë më kollaj.


Publikuar më pare në Historia Ime

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>