Ka mbi tre vite tashmë që Kryetari i Bashkise Erion Veliaj luan me simpatinë e publikut duke (keq) përdorur figura publike që kanë lënë shenjë në artin dhe kulturën shqiptare. Duke filluar nga artistët e rinj të një spektakli kabare si ai i Portokallisë e deri te aktorët e realizmit socialist, Veliaj e ka instrumentalizuar kredon e tyre në opinionin publik me qëllim tërheqjen pas vetes masa të konsiderueshme njerëzish të shtresave nga më të ndryshmet; nga fëmijët e deri te pensionistët që shohin te Veliaj modelin e vdekur ideologjikisht të rinisë së tyre nën diktatin e rregjimit komunist. Nuk munguan dhe ata artistë që u panë rëndom në shoqërinë e Lalit dhe enturazhit kryebashkiak në inspektimin e punëve publike në Tiranë.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Artistë që kujdesen për punët e zakonshme të komunitetit në të cilin jetojnë është ëndrra e cdo shoqërie që ka djegur etapat e tranzicionit dhe jeton në harmoni me veten. Problemi nuk qëndron te akti por te mënyra se si ky akt transmetohet në shoqëri përmes mass-medias. Plasaritja e fasadës që kërkon të hiqet si realitet objektiv të bën të kuptosh degradimin dhe poshtërimin që propaganda ushtron mbi artistët në Shqipëri. Nëse shohim përmes kësaj plasaritjeje, ne nuhasim se si kjo fushatë manipulimi i zbret artistët nga piedestali i profesionit të tyre fisnik për t´i kthyer në instrumenta të rëndomtë axhendash politike. Si mundet një arstist t´i përkushtohet një aktiviteti të sponsorizuar nga pushteti në kohën kur arti, eliksiri i përditshmërisë së tij , lënda më të cilin ai jetëson role jete, shtypet, nëpërkëmbet, deformohet dhe përdoret si mjet trushpëlarjeje për shoqërine dhe qytetarët e thjeshtë?A është etike mbështetja e nje force politike e cila kërkon me ngulm prishjen e altarit shpirtëror të një kombi? Pikërisht këtu qëndron dhe repeticioni tragjik ishume artistëve që në një mënyrë ose në një tjetër përdoren nga pushteti për interesa politike.
Dje, arti i realizmit socialist vihej i gjithi në funksion të konsolidimit të pushtetit politik, ideologjik e kulturor të Partisë Shtet. Sot artistët detyrohen të punojnë për padronët aktualë e ndonjë rast edhe tek ata atë djeshmit sepse këcenimi nuk është më i drejtpëdrejtë e jetësor por kryekëput ekonomik. Në lojë nuk është më jeta apo të jetuarit në qytetin ku ke lindur apo je rritur, por puna që ti bën për të mbajtur veten dhe familjen tënde.
Qëllimi i artit të djeshëm ishtë evokimi i njeriut të ri; besnik i Partisë dhe i idealit. Synimi i artit të sotëm më shumë sesa ideologjik është çuarja përpara e projekteve të oligarkëve dhe marionetave të tyre politike dhe centralizimi përfundimtar i ekonomisë në duart e 2-3 njerëzve.
Artistët e merituar që ne i thurim lavde pse nuk arritëm kurrë të prodhonim një plejadë të re jashtë kornizave ideologjike të para viteve 90, kanë fatin e të jetuarit në tre etapa themeltare këto 70 vitet e fundit:
- Instalimi i diktaturës komuniste bashkë me institucionet kulturore që predikonin njeriun e ri
- Tranzicionin si djerrinë artistike dhe kulturore që siguroi ekzistencën e tyre ne treg dhe për 27 vite të tjera
- Plazmimi i një autokracie të re ku arti nuk përdoret më për të krijuar njeriun e ri por për të mpirë përfundimisht nervin e reagimit të kësaj shoqerie.
Nuk e di nëse Robert Ndrenika apo proselitët që aktrojnë në Portokalli janë të vetëdijshëm për konstanten e tyre këto 70 vitet e fundit. Ama jam i bindur se gjithe kjo histori diç i kujton nga fillesat e tyre si aktorë nën diktatin komunist. Ndoshta është nostalgjia për adhurimin kolektiv që dikur ata ndjenin kudo ku ju vinte rasti të takoheshin me njerëz. Ndoshta Veliaj me kamerat e tij, kronikat e parapërgatitura dhe propagandën kuasi bolshevike evokon te artistët e shekullit të kaluar eksitimin e të krijuarit shëmbëlltyrat e shumëfishta të njeriut të ri socialist. Artistët ishin zoti, komunizmi ishte kisha…