Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nisi të mërkurën serinë e parashikuar të takimeve në Bruksel.
Përmes një postimi në rrjetin Twitter, Kurti bëri të ditur se ishte takuar me kryeministrin belg, Alexander De Croo.
“Ndava përparësitë tona për vendet e punës dhe drejtësinë, angazhimin tonë ndaj BE-së dhe nxita liberalizimin e vizave. Ne ramë dakord për të rritur bashkëpunimin ekonomik,” shkruan kryeministri i Kosovës mbi takimin.
Kurti informoi gjithashtu se nuk do të ishte në takimin 11 majit mbi dialogun Kosovë-Serbi, paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Kurti pritet të diskutojë mbi dialogun me Borrel, në një takim ditën e enjte.
“Unë nuk mund të marr pjesë në takim, për të cilin nuk kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Ajo që mund t’ju konfirmoj është se do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune, të organizuar nga Komisionari Borrell nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor,” tha ai për gazetarët në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, nuk pranoi të komentojë mbi çështjen e letrave “joformale” të publikuara nga mediat në Ballkan javët e fundit, për një rishikim të mundshëm të kufijëve në Ballkan.
“Besoj që të gjithë këtyre ‘non-papers’-ave është më së miri t’iu përgjigjemi me ‘no comment’ (pa koment) sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, në një kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira”, tha Kurti.
Ai shtoi se nuk duhet të lëjohej ringjallja e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin i Kosovës.
Kosova, pohoi Kurti, duhet të shkojë drejt integrimit evropian dhe euroatlantik dhe se raportet në “Ballkan mund të rregullohen vetëm më dialog parimor”.
Delegacioni i Kosovës pritet që të takohet të mërkurën edhe me Komisionerin evropian për Bujqësi dhe Zhvillim rural Janusz Wojciechhowski, atë për Drejtësi Didier Reynders, Komisionerin për Energji Kadri Simons, për Ekonomi dhe Financa Paolo Gentiloni dhe nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit Evropian për Ekonomi, Valdis Dombrovskis.
Gjatë ditës, Kurti pritet të takojë edhe presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli.
Të enjten pritet të takohet edhe me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.