Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti deklaroi sot se shpreson se do të vazhdojë bisedimet me LDK-në, si detyrim ndaj qytetarëve për të gjetur dakordësinë për qeverinë e re.
Përmes një video të publikuar në Facebook, pak pasi u bë publike se VV ka propozuar emrin e Kurtit si kryeministër, Zoti Kurti u shpreh:
“Ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë. Ne nuk e kemi pranuar propozimin e LDK-së, por jemi treguar të gatshëm për takime tjera me synim gjetjen e alternativave që do të ishin të pranueshme për të dyja palët.
Qasja merre ose lëre do të thotë lëre. Unë besoj se mund të kthehemi dhe e kemi detyrim që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjendjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes tonë.”
Ai sqaroi se vonesa për dërgimin e emrit të mandatarit të qeverisë tek Presidenti Thaç erdhi pasi Vetëvendosja po priste që të kishte gati marrëveshjen me LDK-në:
“Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në.”
Ai tha se në ditët në vijim do të takohet dhe me partitë e pakicave:
“Unë besoj se duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe pakicat.”