Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mohuar të ketë marrë një shkresë zyrtare nga KQZ lidhur me përjashtimin e tij nga gara për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.
Mesditën e së mërkurës KQZ-ja e Kosovës njoftoi se 47 kandidatë për deputetë në listat e partive nuk janë të përshtatshëm për të kandiduar, e mes tyre thuhet se është edhe Kurti.
Por në një prononcim për RTV Dukagjini, ai shprehet se nuk është në dijeni të një vedimi të tillë.
“Unë nuk jam në dijeni për kurrfarë vendimi të tillë të KQZ-së. Nuk kemi marrë ndonjë shkresë, as unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia.”, citohet të ketë thënë Kurti nga Klan Kosova.
Më tej Kurti ka thënë se institucionet e vendit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit dhe jo t’i vihen përballë atij.
“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”
KQZ-ja sot ua ka kthyer partive politike listat për korrigjim dhe do të pres deri më 22 janar përgjigjje nga partitë për të proceduar më tej me miratimin e listave zgjedhore.
Kurti është dënuar për ‘përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’ në vitin 2018.
Sipas ligjit, ata persona që janë dënuar për një vepër penale në 3 vitet e fundit, nuk mund të kandidojnë për deputet.