Ambasada e SHBA-ve kërkoi të premten që të vijohet me Reformën në Drejtësi.
Ambasada tha se do të vijojë mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi, duke iu referuar zgjedhjes së anëtarit të pestë të Gjykatës Kushtetuese.
“Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo perfekte, por është duke ecur përpara – hap pas hapi – dhe duhet të vazhdojë. Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin me forcë dëshirën e popullit shqiptar për një sistem drejtësie transparent, të drejtë dhe tërësisht funksional”, tha ambasada në llogarinë e saj në Facebook.
Në reagimin e ambasadës thuhet se falë bashkëpunimit midis KED, Presidencës dhe Parlamentit, Shqipëria është vetëm një gjykatës larg nga një Gjykatë Kushtetuese funksionale.
“Veprimet e tyre u përgjigjen opinionit të Komisionit të Venecias, kërkesave për pranimin në Bashkimin Europian dhe – më e rëndësishmja – kërkesës së popullit shqiptar. Le të ecim përpara – hap pas hapi”, tha ambasada.
Exit argumentoi në një shkrim se ky veprim i KED është në shkelje të ligjit.