Ambasadori Lu kritikon Zotin Basha dhe shpall datën e votimit të reformës

Ambasadori Lu kritikon Zotin Basha dhe shpall datën e votimit të reformës

Ambasadori Lu i ka dërguar sot një letër publike të rinjve shqiptarë në të cilën ai u bën atyre thirrje të ushtrojnë trysni tek politikanët për miratimin e reformës në drejtësi. AI ka qenë i ashpër me politkanët që zvarritin reformën.

Më poshtë janë disa nga pikat kryesore që ai shpreh në letrën e tij:

  • Zoti Lu e ka konsideruar të palogjikshme sjelljen e politkanëve, që në vend të marrin përgjegjësinë,zihen me njëri tjetrin. Me nota të dukshme ironie, ai është shprehur se edhe fëmijët e kuptojnë se “të dy palët duhet të mos ofendojnë më njëri-tjetrin dhe të mos përdorin më epitete fyese ndaj njëri-tjetrit. Duhet të ulen si të rritur dhe t’i zgjidhin çështjet përmes kompromisit.”
  • Zoti Lu ka veçuar edhe një herë kryetarin e opozitës Lulzim Basha si përgjegjësin kryesor për mosarritjen e kompromisit mes shumicës dhe opozitës. Ai ka theksuar se gjatë dy muajve të fundit “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar.”
  • Zoti Lu u ka bërë sërish thirrje deputetëve, duke nënkuptuar kryesisht deputetët e opozitës, të shkëputen nga qëndrimi partiak dhe të votojnë pro reformës. “U bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme,” është shprehur ai në letër.
  • Zoti Lu ka shpallur se data e votimit të reformës në Kuvend do të jetë më 21 korrik, edhe pse kalendari i punimeve nuk është miratuar ende nga Kuvendi. Është e paqartë si mund të jetë përcaktuar që tani dita e votimit final të reformës, kur procedura e shqyrtimit të ndryshimeve kushtetuese është e përcaktuar me ligj dhe, me përjashtim të datës së fillimit të shqyrtimit, nuk mund të parashikohet paraprakisht data e votimit në seancë plenare.
  • Zoti Lu ka theksuar edhe një herë bindjen e tij se reforma në drejtësi do të ndryshojë Shqipërinë. “Vota e 21 korrikut do të përcaktojë drejtimin e vendit,” është shprehur zoti Lu.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>