Gjatë hapjes së Shkollës Verore Evropiane, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, e sapo kthyer nga konferenca vjetore e ambasadorëve në Bruksel, shprehu disa vërejtje ndaj qeverisë Rama, në ndryshim nga qëndrimet e mëparshme të saj pro çdo nisme të kryeministrit.
Ndoshta për shkak të kuptimit të ngadaltë të realitetit shqiptar nga ana e Brukselit, apo si përpjekje për të distancuar veten nga një regjim që po tregon tendenca autokratike, fjalimi i Zonjës Vlahutin përfshiu kritika për mënyrën si Qeveria Rama 2 ka shpërbërë Ministrinë e Integrimit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale, dy prej ministrive që BE ka financuar më së shumti gjatë katër viteve të fundit.
Ambasadorja Vlahutin e filloi fjalën e saj me “lajmin e mirë” duke theksuar rëndësinë e pesë prioriteteve kyçe:
“Për çeljen e negociatave muajt në vijim do të jenë shumë të rëndësishëm. Mendoj se është e qartë për të gjithë se çfarë lipset që të ndodhë për sa i përket pesë prioriteteve kyçe, por ne veçanti në lidhje me të gjitha aspektet e sundimit të ligjit e në veçanti me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë këtu asgjësimin e kultivimit dhe tregtisë së kanabisit.”
Ambasadorja Vlahutin u shpreh se procesi i vetingut do të fillojë në dy javët e ardhshme, pavarësisht se ligji i vetingut pritet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Do të thoja që Shqipëria po përjeton një moment të mirë. Reforma në drejtësi, e cila është në fakt reforma më impenjative dhe më komplekse nga të gjitha, është tashmë gati për t’u zbatuar me procesin e vetingut, i cili do të fillojë në më pak se dy javë. Krijimi i institucioneve të reja, si për shembull, prokuroria e posaçme për sa i përket korrupsionit apo krimit të organizuar, e cila do të fillojë [punën] me shpresë nga fundi i vitit.”
Sipas Ambasadores zgjedhjet e treguan qartë se kush do të jetë përgjegjës për procesin e integrimit në katër vitet e ardhshme, pavarësisht faktit se Kryeministri Rama po bën përpjekje të vazhdueshme, nën petkun e “bashkëqeverisjes me njerëzit e thjeshtë”, për të krijuar një dordolec, të cilit do t’ja kalojë të gjithë fajin për dështimin e integrimit.
“Zgjedhjet parlamentare tashmë i kemi lënë pas, qeveria e re do të fillojë punën dhe do të kemi përgjegjësi të qarta për zhvillimet që do të ndodhin në vend gjatë këtyre katër viteve.”
Më tej, Ambasadorja komentoi ndryshimet e Qeverisë Rama 2, duke vënë në dukje “paqartësitë” që burojnë nga prishja e strukturës që ka qenë koordinuesja e “procesit të integrimit” të Shqipërisë në BE, Ministrisë së Integrimit.
“Shqipëria për momentin po kalon një periudhë tranzicioni institucional. Ne mezi po presim Kuvendin e ri të Shqipërisë në mënyrë që të fillojmë punën, jo vetëm me ta por dhe me qeverinë. Por ka ende disa paqartësi në lidhje me ndryshimet që do të kemi, sidomos përsa i përket mekanizmave të bashkërendimit për integrimin evropian, ndaj unë do të zhvilloj disa takime në ditët në vijim në mënyrë që ne të kemi mundësinë që të kuptojmë plotësisht dhe të biem dakord për atë se si do të funksionojë axhenda evropiane, si do të organizohet dhe bashkërendohet ajo.”
Në fund të fjalës, Ambasadorja kritikoi përpjekjet e (dështuara) të qeverisë Rama 1, për të justifikuar reformat apo nismat ligjore me integrimin në BE – duke mos arritur të argumentojë dhe sqarojë asnjëherë shqiptarët për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e tyre. Me fjalë të tjera, Ambasadorja Vlahutin “ndëshkoi” Kryeministrin Rama për mungesën e transparencës dhe mbajtjes së përgjegjësisë:
“Në fakt ju do ta shihni së shpejti, por procesi i anëtarësimit dhe qeverisja e mirë kërkojnë nivele gjithnjë e më të larta të kapaciteteve teknike dhe të dialogut brenda shoqërisë. Që ta them me fjalë të thjeshta: njerëzit duhet të kuptojnë se përse janë të nevojshme disa reforma, se si do të bëhen këto reforma, se sa do të kushtojnë dhe si do të përfitojnë ata prej këtyre reformave. Duhet të ketë një ndikimi gjithnjë e më të madh të këtyre reformave në jetën e përditshme të njerëzve kur ne flasim për gjëra si: sistemi gjyqësor, mjedisi, bujqësia, siguria e ushqimit, investimet ekonomike, shërbimet sociale, arsimi, infrastruktura, financat publike dhe mënyra se si shpenzohen paratë publike.
Për këtë, dy gjëra janë thelbësore. Së pari, është vullneti i qartë politik i atyre që qeverisin dhe që janë më shumë se cdokush tjetër, përgjegjës për rezultatet e ardhshme, por edhe të të gjithë atyre që janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin e Shqipërisë pavarësisht bindjeve politike. Ata zgjidhen për t’i shërbyer interesave të popullit dhe për interesin e këtij kombi të gjithë duhet të investojnë në dialogun politik përsa i përket prioritetet më të rëndësishme kombëtare. Asnjë interes privat apo publik nuk mund të jetë më i rëndësishëm se interesi i të gjithë vendit.”