Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka botuar të enjten një koment publik në lidhje me reformën në drejtësi dhe mendimin e Komisionit të Venecias në lidhje me përzgjedhjet e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, në faqen e Ambasadës Amerikane.
Fillimisht, Ambasadorja përsëriti qendrimin se reforma në drejtësi ka bërë progres në zbatimin e saj.
Duke theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të reformës, ajo ka revokuar qendrësën e sukseshme të Skenderbeut ndaj sulmeve turke. Ajo i ka bërë thirrje të gjithë atyre “që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë”.
Ambasadorja Kim ka interpretuar qendrimin e Komisionit të Venecias, si një qendrim që i ka dhënë të drejtë deri diku të gjithëve dhe faj deri diku të gjithëve:
“Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim”.
Sipas, Kim shkaku kryesor i përplasjeve të ndodhura është paqartësia e ligjit dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese si i vetmi institucion që mund të mbrojnë Kushtetutën dhe ligjin, mungesë që i ka dhënë të drejtë institucioneve të ndryshme të bëjnë interpretimin e vet.
Për këtë arsye ajo “thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Ambasadorja i këshillon Kuvendit dhe Presidencës të komunikojnë për të shmangur paqartësitë dhe moskuptimet:
“ Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit”.