Suela Janina, ambasadorja e Shqipërisë në BE, deklaroi dje se Bashkimi Evropian me shumë gjasa do të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, në vitin 2018.
E ftuar në emisionin Debati në Channel One, Zonja Janina u shpreh “shumë entuziaste dhe besimplot” se shtetet e BE-së e mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë:
“Nga të gjitha të dhënat që kam, nuk më rezulton se ka ndonjë nga 28 shtetet që ka tendencë për të vendosur veton.”
Ambasadorja Janina u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet që i janë vendosur, ndaj hapja e negociatave nuk është asgjë më shumë se sa “një vendim i merituar”.
Por duket se ambasadorja ka informacion që askush tjetër, as vetë institucionet evropiane, nuk e kanë deri më tani. Zyrtarët e lartë të BE-së janë përpjekur të bëjnë deklarata sa më të përgjithshme dhe janë munduar të mos shprehen me siguri për vendime që nuk janë në dorën e tyre.
Vetë komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn, në daljen e fundit për shtyp në Shqipëri, deklaroi se duhen pritur rezultate konkrete të punës së qeverisë shqiptare, përpara se të jepet rekomandimi për hapjen e negociatave:
“Vlerësimi ynë varet nga dëshmitë, provat, vlerësimet dhe vetëm këto kanë rëndësi.
Është e rëndësishme që të ndryshohen disa deficite në reputacion, pasi ato egzistojnë dhe nuk ka kuptim që t’i përfillim, por është e rëndësishme që të përballemi me to.
Një nga rezultet e para që presim të marrim është rezultati i procesit të vettingut, që sapo ka filluar dhe unë pres që rezultatet e para t’i shikojmë në fillim të vitit. Kemi edhe të bëjmë edhe në ato që njihen si pesë prioritet kyçe.”
Po ashtu zoti Hahn ka sqaruar disa herë se aktualisht BE po zhvillon negociata vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa vendet e tjera, përfshirë dhe Shqipëria, janë ende larg.
Por duket se ambasadorja Janina është e sigurtë se Shqipëria “i ka plotësuar kushtet” dhe “e meriton” hapjen e negocitave.
Në nëntor të 2016-ës, kur Komisioni Evropian i rekomandoi 28 shteteve anëtare të BE-së hapjen e kushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, Ambasadorja Suela Janina e cilësoi këtë fakt një zhvillim shumë pozitiv. Në një intervistë për gazetarën Ilva Tare, ajo u shpreh se kushti i vetëm për Shqipërinë është ligji i vetingut:
“Procesi i hapjes së negociatave lidhet me disa hapa. Fitorja e parë e një beteje të madhe është rekomandimi, më tej është Këshilli që vendos. Ky hap do të marri vlerësimin e duhur nga vendet anëtare. Ne na takon të adresojmë të gjithë reformat që na duhet. Dhe kjo është e lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi dhe specifikisht me procesin e vetingut.”
Duke deklaruar se “vetingu është kushti i vetëm”, pretendim që tashmë dhe vetë Vlahutin e ka hedhur poshtë, Zonja Janina tregoi se nuk e kishte lexuar progres raportin e institucioneve evropiane për Shqipërinë.
Para një viti, njësoj si dje, Zonja Janina foli me besim të plot dhe entuziazëm, por muajt në vazhdim treguan se ambasadorja nuk ishte shumë e informuar për ecurinë e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë.