Për më shumë se dy javë tashmë, në vendet e Ballkanit u diskutua një dokument jo zyrtarë dhe i panënshkruar dy faqësh mbi ndryshimin e kufijve politikë sipas kufijve etnikë.
Ky dokument, i njohur si “Non-paper”, iu mvesh Kryeministrit të Sllovenisë Janez Jansa. Dokumenti në thelb bën thirrje ose ngre mundësinë e ndarjes së Bosnjës përgjatë vijave etnike, që rajonet e populluara nga serbët dhe kroatët të bashkohen me vendet fqinje.
Dokumenti parashikon bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe, si rezultat, nocioni i “Shqipërisë së Madhe” është rishfaqur si një temë diskutimi në lajme.
Një “Shqipëri e Madhe” zakonisht përkufizohet si bashkimi i vetë Shqipërisë dhe tokave të banuara nga popullatat shqiptare në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe, në një shkallë më të vogël, në Malin e Zi, dhe ka qenë prej kohësh një ëndërr e disa nacionalistëve shqiptarë.
Idea u përmend shpesh nga regjimi i Beogradit për të goditur disidencën shqiptare në ish-Jugosllavi në vitet 1980, si dhe gjatë shtypjes së viteve 1990 në Kosovë.
Kosova u bë shteti i dytë shqiptar pas shpalljes së pavarësisë në shkurt 2008. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, e cila i dha fund luftës së shkurtër në Maqedoni (zyrtarisht, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, apo IRJM), rriti ndikimin politik shqiptar në vend.
Në thelb, shqiptarët tani kanë dy shtete e gjysmë: Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, të treja të lidhura gjeografikisht. Ndikimi politik shqiptar në vendet e tjera të Ballkanit, megjithatë, është fare i vogël.
Me dy shtete e gjysmë, sa i vërtetë është miti i vjetër prej dekadash i një “Shqipërie të Madhe”, e cila u rishfaq dy javë më parë?
Çdo gjë është e mundur në politikën ndërkombëtare, por një “Shqipëri e Madhe” mund të mos jetë në interesin më të mirë të shqiptarëve.
Procesi i integrimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe NATO ka ndryshuar llogaritjen strategjike në rajon. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s me aspirata për t’u bashkuar me BE. Kosova, në mënyrë të ngjashme, aspiron të bashkohet me dy klubet.
Duke supozuar që (i) BE-ja vazhdon të ekzistojë në formën e saj aktuale dhe (ii) ndjek angazhimin e saj të Selanikut 2003 për t’i dhënë Ballkanit një perspektivë të BE-së dhe për të vazhdouar me zgjerimin në rajon, del një përllogaritje e re.
Anëtarësimi përfundimtar në BE i të tre vendeve do të përkthehej në dy vota e gjysmë shqiptare dhe në veto të mundshme në strukturat kryesore vendimmarrëse, ndërkohë që gjysmë vota është ndikimi i shqiptarëve në mënyrën se si voton Maqedonia e Veriut. Kjo është e rëndësishme për sa i përket nivelit të bisedimeve.
Në të kundërt, një skenar hipotetik i “Shqipërisë së Madhe” do të përkthehej në një votë të vetme në BE.
Duke supozuar solidaritet politik midis udhëheqësve shqiptarë në këto tre shtete, më shumë vota do të sillnin më shumë fuqi dhe më shumë marrëveshje negocimi.
Bazuar në mekanizmin aktual të përfaqësimit të qeverisë kombëtare në BE dhe duke marrë përsipër rregullimet institucionale për të akomoduar anëtarë të rinj, kjo llogari është veçanërisht e rëndësishme pasi zbatohet për Këshillin Evropian.
Votimi në Këshillin Evropian, i cili përcakton përparësitë politike të BE-së, është kryesisht me konsensus dhe më shumë vota përkthehet në më shumë fuqi. Në Këshillin e BE, vendimmarrësi kryesor në klub, kërkohet unanimitet për çështje thelbësore, duke përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët dhe financat e BE.
Në rastin e Komisionit Evropian, të paktën dy Komisionerë do të ishin nga shtetet shqiptare, secili me mundësinë e një të treti nga Maqedonia e Veriut.
Në mënyrë të ngjashme, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në NATO, anëtarësimi i ardhshëm i Kosovës në Aleancën Atlantike do të amplifikojë zërin e përfaqësuesve politikë të popullatave shqiptare në tre shtete në proceset e vendimmarrjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Megjithatë, siç qëndrojnë tani gjërat, kjo logjikë e avantazhit të negociatave do të ishte më e zbatueshme në BE sesa në NATO.
Siç ka qenë rasti për tre dekadat e fundit, kur debatohet për të ardhmen e Ballkanit, çështja e një “Shqipërie të Madhe” shfaqet, siç bëri dy javë më parë, vetëm për t’u zbehur dhe rishfaqur.
Ironia e debateve të shumta për një “Shqipëri të Madhe” është se ajo kryesisht injoron një faktor vendimtar: interesat e ripërcaktuara të shqiptarëve. Me fjalë të tjera, për sa kohë që BE ekziston dhe duke supozuar se do të ndjekë me planet e saj të zgjerimit rajonal në Ballkan, një “Shqipëri e Madhe” nuk është në interesin më të mirë të shqiptarëve. Nuk është bashkimi ai që vlen në drejtim të levave të negociatave dhe përfaqësimit institucional.
Prandaj, përllogaritja e re strategjike mund të qetësojë alarmistët e një “Shqipërie të Madhe”, teksa mund të shërbejë gjithashtu si një udhërrëfyes politikash për udhëheqësit shqiptarë.
Artikulli u botua origjinalisht në platformën Anadolu Agency dhe u përkthye nga Exit News.