Ditën e Pashkës, tenori italian Andrea Boçeli mbajti koncert në katedralen simbol të Milanos, Duomo.
Në një katedrale të zbrazur, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Boçeli këndoi për rreth 30 minuta këngë të mirënjohura nga repertori i tij.
Me moton “muzikë për shpresë” koncerti nisi me një monolog të Boçelit, në të cilin ai tha:
“Në ditën ku festohet besimi në triumfin e jetës jam i nderuar t’i them po qytetit dhe katedrales së Milanos.
Besoj te forca e lutjes së bashku, besoj në Pashkën krishtere, simbol universal i një rilindjeje, që të gjithë, besimtarë dhe jobesimtarë, kemi realisht nevojë sot.
Falë muzikës, së përcjellë drejtpërdrejtë, duke mbledhur miliona duar njerëzish bashkë anë e mbanë botës, ne përqafojmë zemrën pulsuese të kësaj Toke të plagosur.”
Mbi 450 mijë persona e ndoqën muzikën e Boçelit në YouTube, ndërsa pamjet nga katedralja shoqëroheshin me pamje nga rrethinat e Lombardisë, rajonit më të goditur në botë nga koronavirusi.
Rreth 60 mijë persona janë infektuar nga Covid-19 vetëm në Lombardi, ndërsa mbi 10 mijë prej tyre kanë vdekur.
Koncerti u kushtohej pikërisht viktimave.