Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, ka sulmuar ashpër Kryeministrin Rama për klientelizëm të hapur në favor të një grupi biznesmenësh dhe politikanësh të afërt me të. Gjatë një interviste me gazetarin Blendi Fevizu, ai ka përmendur emra konkretë dhe kontrata konkrete sipas tij të lidhura në mënyrë korruptive dhe në shkelje të ligjit nga qeveria Rama.
Por edhe pse nuk ka lënë jashtë akuzave të tij edhe prokurime në shuma relativisht të vogla, Zoti Basha ka “harruar” të përmende dy ndër veprimet më të bujshme dhe më të kundërshtuara të qeverisë Rama: ligjin e arsimit të lartë dhe lejen për ndërtimin 13 katësh në hyrje të parkut përballë Fakultetit Ekonomik.
Ligji për Arsimin e Lartë – ligj thellësisht klientelist në shërbim të universiteteve private – u hartua dhe sponsorizua nga biznesmeni Henri Çili, njeri shumë i afërt me Zotin Basha. Edhe pse deputetë të opozitës u shprehën hapur kundër miratimit të ligjit, Zoti Basha qe dakord me miratimin e tij dhe ju kërkoi deputetëve demokratë të mos merrin pjesë në votim, me qëllim për të shmangur çdo mundësi që ata të votonin kundër ligjit.
Godina 13-katëshe përballë fakultetit Ekonomik do të ndërtohet nga biznesmeni Samir Mane, një nga biznesmenët që ka pasur ndikim të pazakontë në qeverisjen Berisha dhe një ndër përfituesit kryesore të politikave klienteliste të qeverisë së tij.
Këto qëndrime selektive të zotit Basha dëshmojnë se ai ka problem vetëm biznesmenët që janë klientë të Zotit Rama, por jo atë që janë klientë të tij apo të të dy palëve.