Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk do të mund të marrë sot nga presidenti Hashim Thaçi mandatin për formimin e qeverisë së re.
Lajmi u bë publik nga selia e LVV-së e cila njoftoi se Zoti Kurti ndodhet jashtë Prishtinës:
“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit.”
Presidenti Thaçi i dërgoi sot ftesë Albin Kurtit, kryetarit të Vetëvendosjes si partia e parë fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.
Me marrjen e mandatit për formimin e qeverisë, Kurti do të ketë 15 ditë kohë për të vendosur se me cilën parti do të formojë koalicionin qeveritar dhe do të formojë shumicën e thjeshtë prej 61 votash në kuvend.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 32 mandate, LDP 29 mandate deputetësh, PDK 25 mandate, koalicioni AAK-PSD 14 deputetë dhe Lista Serbe ka 10 deputetë.