Moisi Habilaj, kushuriri i ish-ministrit Tahiri, është arratisur nga banesa në Itali, ku po kryente masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Sipas BalkanWeb-it, autoritetet italiane e kanë shpallur në kërkim Habilajn, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Policia ka shkuar në shtëpinë ku po strehohej Habilaj për ta transferuar atë në burg, por nuk e kanë gjetur aty.
Moisi Habilaj u arrestua në vitin 2017, si drejtues i një bande narkotrafiku që punonte në Shqipëri e Itali.
Ai u dënua me 15 vite burg nga gjykata e Katanias, në qershor 2019, si drejtues i grupit kriminal ‘Habilaj’ dhe për trafik ndërkombëtar droge e armësh.
Që prej majit 2020, Habilaj doli nga burgu i Katanias, pasi gjykata e Apelit pranoi lehtësimin e masës së arrestit, nga arrest me burg në arrest shtëpiak. Habilaj tha se do të qëndronte në zonën e San Michele di Ganzarias në Itali, në shtëpinë e vëllait të tij.
Ai po ashtu apeloi vendimin dhe po priste gjykimin e Gjykatës së Apelit.
Në dhjetor 2020, Gjykata e Apelit të Katanias la në fuqi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, për të dënuar Habilajn me 15 vite 5 muaj e 10 ditë burg.
Në janar 2021, teksa policia ka shkuar për të ekzekutuar vendimin e Apelit, kanë zbuluar se Habilaj është arratisur.
Moisi Habilaj njihet dhe si kushuriri i ish-ministrit Tahiri, për të cilin në Shqipëri ka një proces gjyqësor, pas akuzave për ndihmë dhe bashkëpunim me bandën e kushurinjve të tij.