Policia ka arrestuar me urdhër të SPAK-ut, të martën, ish-drejtorin e prokurimeve në OSHEE Elis Bushatin dhe drejtoreshën e Kabinetit Albana Ferraj, për shpërdorim detyre.
Ndërsa për dy zyrtare të tjera, Irma Derguti dhe Athinta Papa, anëtare të komisionit të vlerësimit të ofertave të tenderave, gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie.
Të katërt zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe abuzime me tenderat publikë.
Ata dyshohen se kanë favorizuar një kompani italiane, ‘Com Metodi’ në një tender të vitit 2016, në këmbim të 130 mijë eurove rryshfet.
Kompania fitoi tenderin me vlerë rreth 1,1 milionë euro për shërbime-konsulence për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE-së.
Sipas SPAK, kompania e fitoi tenderin në mënyrë të padrejtë dhe duke u favorizuar nga zyrtarët.
Më pas, për të përfituar paratë, Albana Ferraj përdori një kompani shqiptare, për të mbuluar gjurmët e parave.
SPAK ka hetuar prej muajsh tenderat e bëra prej këtyre zyrtarëve, pasi morën indicia nga një tender tjetër abuziv në OSHEE.