Jakup Krasniqi, ish-drejtues i UÇK-së dhe i Kuvendit të Kosovës, është arrestuar mesditën e së mërkurës.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij Valon Hasani, i cili ka thënë se Krasniqi do të shkojë në Gjykatën Speciale të Krimeve të Luftës në Hagë.
“Sot prokuroria ka pasur aksion dhe në bazë të urdhrit është arrestuar Krasniqi. Ai është nisur në Hagë dhe shumë shpejtë do të dalë para gjykatës.”
Avokati tha se ende nuk është e qartë se për çfarë veprash akuzohet Krasniqi.
Mëngjesin e së mërkurës, forcat e Eulexit kanë kontrolluar banesën e Krasniqit.
Nipi i tij, Dardan Krasniqi pretendon se familja nuk ka pasur njoftim paraprak për kontrollin e banesës.
Jakup Kraniqi ka qënë një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe ish-drejtues i Kuvendit të Kosovës. Ai dyshohet se ka kryer krime kundër civilëve gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës.