Eldi Dizdari, i njohur si një prej trafikantëve të kokainës nga Amerika Latine, është arrestuar të enjten në Dubai, me kërkesë të interpolit shqiptar.
Dizdari u arrestua gjatë një operacioni ndërkombëtar ku morën pjesë policitë e Shqipërisë, Italisë, Spanjës, Holandës dhe Dubait.
Dizdari dyshohet se ka qenë i përfshirë dhe në përplasjen e tetorit 2018, në ish-Bllok mes Ervis Matës e Elvis Martinajt, ku u vra Santiago Malko. Dizdari njihet si mik i Martinajt.
Disa media kanë shkruar se i arrestuari është i afërm i Arbër Çekajt, pronarit të kompanisë së bananeve, i cili u dënua me 21 vite burg për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë.
Nuk dihet ende se për çfarë akuzohet Eldi Dizdari në Shqipëri.