Vritet në një atentat mafioz miku ish-polic i Ervis Martinajt

Nga Gerard Gega
Vritet në një atentat mafioz miku ish-polic i Ervis Martinajt

Santiago Malko, ish-polic, mik i Ervis Martinajt, u vra në një atentat të stilit mafioz mbrëmjen e së martës.

Mediat raportuan se ai u qëllua prej një makine, e cila po e priste në daljen e një lavazhi në rrugën Xhanfize Keko në Tiranë.

Malko u qëllua në orën 22:20 teksa po lëvizte me makinë. Policia gjeti rreth 10 gëzhoja vetëm në vendin ku u vra.

Pak pas vrasjes, në fshatin Ferraj, rreth 6,5 kilometra larg vendit ku ndodhi atentati, policia gjeti një makinë, të cilës i qe vënë zjarri. Dyshohet se ajo ishte përdorur nga atentatorët, të cilët mendohet se kanë qenë më shumë se dy persona.

Ndërkohë mediat kanë zbardhur të shkuarën e viktimës. Deri në vitin 2014 Malko ka qenë polic, por më pas është larguar nga detyra.

Ai qe përfshirë në biznesin e lojërave të fatit. Bashkëshortja e tij, Dea Ricku, ka qenë gjithashtu police, pjesë e njësisë “Shqiponja”, por që është larguar në vitin 2017.

Malko rezulton të ketë patur disa konflikte. Në vitin 2016 qe konfliktuar me vëllezërit Edmond dhe Gentian Llashi, konflikt të cilin mediat e lidhin me borxhe bastesh sportive.

Ish-polici Malko njihej për shoqërinë me Ervis Martinajn, ky i fundit akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentash, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Martinaj, i cili zotëronte disa sallone bastesh sportive, më 4 tetor 2018 u plagos me armë ndërsa shoku i tij Fabian Gaxha mbeti i vrarë.

Në këtë ngjarje ka qenë prezent edhe Malko.

Pamje nga Report-TV/Personi i pa-identifikuar në ngjarjen e vrasjes në ish-Bllok, i cili thuhet se ka qenë Malko.

Vrasja e vitit të kaluar ndodhi pas një përleshje në një lokal në zonën e ish-bllokut. Në të u përfshinë edhe Redi Popesku, Eljo Hato, Eldi Dizdari, Ervin Mata, Geldo Hoti dhe Merviol Bilo.

Asokohe në një video të rrjedhur nga kamerat e sigurisë, autoritetet nuk mundën të identifikonin me saktësi një person me kapele që dilte nga lokali pak pasi kishte ndodhur ngjarja.

Por gazetari Flamur Vezaj e pati zbuluar identitetin e tij, Santiago Malko. Mediat e raportuan gjerësisht vetëm të mërkurën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>