Publicisti Kastriot Myftari u arrestua sot nga njësia anti-terror e policisë pas botimit të një shkrimi në Facebook, ku sulmonte ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin. Sipas Lapsi.al, zoti Myftaraj do të qëndrojë nën arrest derisa gjykata të vendosë hapat e mëtejshëm.
Kastriot Myftaraj akuzohet për shkelje të Nenit 223 të Kodit Penal, kundër “thirrjeve publike për veprime të dhunshme.”
Thirrjet publike për të kryer veprime të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Shkrimi i Myftarajt, nën titullin “Aventura e çuditshme e një kurve kroate në Tiranë” përshkruan karrierën e Romana Vlahutin nga momenti që ajo u emërua nga ish-presidenti kroat Ivo Josipoviq si e dërguar i posaçme për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendës këshilltare, kalimi i saj në Tiranë si shefe e delegacionit të BE-së dhe akuzat për korrupsion me blerjen e vilës në rezidencën Rolling Hills.
Myftari akuzon gjithashtu Vlahutin se i përket një komploti të financuar nga Soros për të krijuar një “Jugosllavi të re”. Megjithatë, ishte fjala e parë e paragrafit përfundimtar që çoi në arrestimin e tij:
Kështu që çdo shqiptar që do atdheun e vet mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist. Në këtë histori ka vetëm një terroriste që është Kurva e Pantovçakut, e cila e mbetur pa tutor punon për llogari të Beogradit.
Mbetet për t’u parë nëse shteti mund të argumentojë bindshëm se kjo është me të vërtetë një “thirrje publike për dhunë”, duke marrë parasysh se është përdorur folja “mund” dhe jo “duhet”.
Megjithatë, arrestimi, pak javë përpara zgjedhjeve dhe në një klimë të tensionuar politike, rrezikon të frikësojë shprehjen e mendimit dhe fjalës në vend.