Arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë falas duke nisur nga 1 tetori.
Sipas vendimit të qeverisë, tarifat e studentëve në nivelet “bachelor” dhe “master” janë hequr ndërsa për studentët e doktoraturës do të ketë lehtësime të veçanta.
“Kjo padyshim se kontribuon në barazinë sociale në vend”, tha kryeministri Albin Kurti.
Heqja e pagesës synon të rrisë interesin ndaj arsimit të lartë dhe të përmirësojë nivelin arsimor të popullsisë, shtoi kryeministri Kurti.
Deri tani në universitetet publike në Kosovë, studentët e nivelit bachelor kanë paguar 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që ka qenë falas.
Semestri për nivelin “master” ka kushtuar 150 euro, ndërsa për doktoraturë 500 euro.