Pavarësisht tërheqjes nga formula PPP për ndërtimin e Teafrit Kombëtar dhe zhvillimin me ndërtime të larta të zonës përqark, projekti do të zbatohet njësoj.
Plani i qeverisë mbetet i pandryshuar: ndërtesa e teatrit do të prishet për të ndërtuar dhe ndërtesat private do të ndërtohen duke betonizuar krejtësisht zonën qendrore të Tiranës.
Teatri i ri do të ndërtohet me para publike me prokurorim publik, me shumë gjasa nga njëri prej ndërtuesve të zakonshëm klientë të qeverisë. Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku u shpreh për News24 se qeveria do të investojë 30 milionë euro për të, aq sa ishte kostoja e propozuar në projektin e kompansië Fusha shpk.
Ky vendim është një diskreditim i justifikimit të vetëm për PPP-në dhe ligjin special, pikërisht pretendimit se shteti nuk kishte para ndaj po bënte partneritet me privatin.
Mazniku ka konfirmuar se ndërtimi i kullave private do të miratohet si zhvillim privat, sikurse deklaroi, bazuar mbi ligjet e zhvillimit urban dhe ndërtimit.
Mazniku u shpreh gjithashtu se parkingu publik pas ndërtesës së teatrit është pronë e braktisur, dhe se çfarë do të bëhet me të do të vendosë Këshilli Bashkiak.
Kjo deklaratë dhe sidomos përdorimi i termit “pronë e braktisur, që është një absurditet në rastin e pronës publike, me shumë gjasa nënkuptojnë tjetërsimin e saj.
Pak kohë më parë, Kuvendi ka miratuar ligjin që nëse një pronë publike është e rrethuar nga prona private, atëhere ajo mund t’i shitet zhvilluesit privat me çmime të ulta.
Në fakt e gjithë zona pas teatrit synon të zhvillohet nga tre oligarkë të mëdhenj pranë qeverisë, të cilët kanë hyrë apo janë në negociata zhvillimore me pronarët e pronave të zonës. Ndërtuesi Fusha është i vetmi që është shfaqur publikisht duke blerë edhe disa trualle në zonë, ndërsa oligarkët e tjerë kanë preferuar që të ruajnë fshehtësinë për momentin.