Palmat anës autostradës Tiranë-Durrës, për të cilat u harxhuan 600 mijë euro, kanë filluar të hiqen. Palmat, të mbjella në vitin 2014, shumica prej të cilave aktualisht të dëmtuara, nuk janë pjesë e projektit për zgjerimin e autostradës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hartuar planin për zgjerimin e autostradës me tre korsi në vitin 2015, vëtem pak muaj pas mbjelljes së pemëve dekorative.
“Duke qenë se autostrada e ardhshme Tiranë-Durrës do të zgjerohet mbi gjurmën ekzistuese dhe do të përshtatet sipas standardit evropian, nuk është parashikuar që në hapësirën e infrastrukturës së re autostradale, ku shpejtësia e projektimit është 140 km/h, të ketë bimësi apo objekte të tjera dekorative për arsye të sigurisë rrugore” sqaron ARRSH.
Për rehabilitimin dhe gjelbërimin e kësaj autostrade u kujdesen tre institucione Ministria e Mjedisit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por asnjëra prej tyre nuk pranon përgjegjësinë për shpenzimin e 600 mijë eurove për mbjelljen e palmave, kur qeveria kishte hapur në të njëjtën kohë, tenderin për kryerjen e studimit dhe projektimit të zgjerimit të rrugës.