
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se nuk do të diskutohet asgjë me Serbinë përveç se njohja reciproke.
Në një komunikim me gazetarët, para takimit në Uashington me Serbinë, Hoti u shpreh se prirjet për dialogun duken pozitive.
“Sot filluam me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë, diskutuam projektet e zhvillimit ekonomik mes të dyja vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive. Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç se për njohje reciproke. Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Serbinë dhe që është vetë njohja reciproke”
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, sot.
Në takim do të jenë edhe këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.