Avokati i Popullit kritikon policinë për përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunën ndaj gazetarëve

Avokati i Popullit kritikon policinë për përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunën ndaj gazetarëve

Avokati i Popullit kritikoi policinë për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve dhe gazetarëve në protestën e 13 prillit, organizuar nga opozita. Pas monitorimit të protestës, avokati i popullit akuzoi policinë për cënimin e lirisë së medias dhe përdorimin e gazit lotsjellës ndaj qytetarëve megjithëse protesta ishte përgjithësisht paqësore dhe e menaxhueshme.

Ndër të tjera, Avokati i Popullit e quan gazin lotsjellës si mjetin e preferuar të policisë për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për protestë:

“Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon te mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij.

Për këtë arsye, mbetet në gjykimin subjektiv të opinionit dhe pjesëmarrësve në protesta, të vlerësojnë se përdorimi i gazit lotsjellës jo vetëm që vazhdon të jetë në shpërpjesëtim me shkallën e rrezikshmërisë që paraqet turma e protestuesve, por ai është shndërruar tashmë në një instrument të preferuar për pengimin e vetë së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor.”

Përdorimi i gazit lotsjellës nga policia ka lënduar dhe gazetarë të cilët kanë qenë në terren për të transmetuar direkt ngjarjet nga protesta:

“Përdorimi në masë i gazit lotsjellës përveçse është konstatuar nga grupet në terren është raportuar me shqetësim edhe nga një numër gazetarësh dhe përfaqësuesish të pavarur të medias, si kufizues për ushtrimin e detyrës së tyre në raportimin e protestës.”

Tjetër shqetësim i Avokatit të Popullit lidhur me lirinë e medias është se shumë gazetarë janë dhunuar nga policia gjatë protestës dhe ky është sinjal i qartë për shtypjen e lirisë së medias:

“Në të paktën një rast është raportuar se ekipet e përfaqësueve të medias janë goditur edhe me ujë të pompuar apo mjete të tjera të rezervuara për përdorim në raste kur grupime të dhunshme protestuesish kërcënojnë sigurinë publike.Trajtimi i medias dhe gazetarëve si një kërcënim i sigurisë publike, konsiderohet nga Avokati i Popullit si një nga sinjalet më shqetësuese për një situatë ku liria e shtypit është vënë në dyshim.”

Nga hetimet e Avokatit të Popullit rezultuan 16 të arrestuar dhe dy qytetarë të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Tiranë, mes të cilëve dhe një 19-vjeçar me probleme mendore. Një tjetër të arrestuari policia nuk i ka lejuar komunikimin me familjen e tij.

Avokati i Popullit vizitoi dhe disa prej protestuesve të lënduar në spital, të cilët kishin marrë plagë nga dhuna e policisë. Njëri prej tyre deklaroi se ishte dhunuar nga policia dhe se gjatë qëndrimit në spital është mbajtur i lidhur me pranga. Ky shtetas ka qenë me statusin e personit të shoqëruar gjatë kohës që ndodhej në spital dhe se vendimi i marrjes së masës së arrestit në flagrancë është marrë dhe i është komunikuar vetëm në orën 2 pas mesnate.

Për këtë rast, Avokati i Popullit tha se mbajtja e të dënuarve e aq më pak e të shoqëruarve të lidhur me pranga në kushte spitalore përbën një rast te trajtimit denigrues e çnjerëzor në kuptim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>