Avokati i Popullit, Erinda Ballanca deklaroi se ndryshimet e Kodit Penal janë të paligjshme, pasi u miratuan në kundërshtim me Kushtetutën dhe procedurën parlamentare.
Në një interviste për Abc News, zonja Ballanca u shpreh:
“Ndryshimet janë kryer në kundërshtim me Kushtetutën dhe procedurën parlamentare. Të tilla veprime nuk janë legjitime dhe nuk janë në nderin e personave që janë në Komisionin e Ligjeve.”
Zonja Ballanca pohoi ndryshimet në Kodin Penal sjellin pasiguri tek qytetarët, pasi në këtë kohë qytetarët e kanë të pamundur të njihen me normën. Ajo shtoi se shumë prej vendimeve të qeverisë nuk janë botuar në Fletoren zyrtare, duke lënë qytetarët në pasiguri nëse veprimi që po kryejnë është ose jo i ligjshëm.
Avokati i Popullit theksoi se jemi i vetmi vend, i cili po ndryshojmë Kodin Penal në këtë periudhë. Të gjithë vendet e tjera të botës, kanë parashikuar si vepra penale shkelje gjatë epidemisë. Por zonja Ballanca deklaroi se, vendet e tjera kanë patur një diskutim të gjerë publik për parashikime të tilla dhe i kanë miratuar në kohë të qetë.
Në lidhje me dënimet e propozuara, Ballanca tha :
“Diskutimet e djeshme sollën një ndryshim të normës. Norma ka ndarjen mes veprimeve dhe mosveprimeve. Ka një minimum nga dy vite deri në 5 vite burg. Unë mendoj se norma vazhdon të mbetet shumë e ashpër.
Komisioni i Ligjeve në Kuvend ndryshoi të martën, propozimin e qeverisë për ndryshimin e Kodit Penal, i cili parashikonte dy dënime, edhe gjobë edhe burg.