Balla kërkesë Metës për zgjedhje të pjesshme në Durrës, Shkodër e Vorë

Nga Exit News
Balla kërkesë Metës për zgjedhje të pjesshme në Durrës, Shkodër e Vorë Balla

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i kërkoi Presidentit Ilir Meta caktimin e datave për zgjedhje të pjesshme vendore në Shkodër, Durrës e Vorë.

Balla e shprehu këtë kërkesë, pasi zhvilloi një takim me delegacionin e Këshillit të Evropës (KiE), me te cilët ai tha se kishte diskutuar edhe rreth kësaj çështjeje.

“[…] Presidenti për 3 bashki, për të cilat mandati i kryebashkiakëve ka mbaruar, Shkodër, Durrës e Vorë, bazuar dhe në parashikimet e Kushtetutës, të përcaktojë brenda kohës së mundshme, sa i përket Durrësit dhe Vorës jemi në kushtet e emergjencës civile, dhe sapo emergjenca të ketë përfunduar Presidenti të ketë dekretuar datën për zgjedhje.”

Presidenti zyrtarisht nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, pasi ai i pati shtyrë në një datë tjetër. Më herët, gjatë takimit që Presidenti pati me delegacionin e KiE-së, ai u shpreh se “vendimi i shumicës socialiste për të mbajtur zgjedhjet një-partiake të 30 qershorit ka zhytur më thellë vendin në krizë”.

Çështja e zgjedhjeve të qershorit u dërgua në Komisionin e Venecias dhe sipas Ballës u shterrua:

“30 qershori është datë kushtetuese, zgjedhjet janë po aq kushtetuese dhe të gjitha organet e dalë prej tyre janë ligjore dhe vijojnë punën e tyre për një mandat 4-vjeçar, që përfundon më 2023. Qytetarët e Shkodrës, Durrësit e Vorës sa më shpejt të jetë e mundur t’iu japim të drejtën që përmes votës të kenë kryebashkiakun.”

Bashkia Shkodër drejtohet nga Voltana Ademi edhe pse ajo nuk kandidoi në zgjedhjet e 30 qershorit. Kandidati i vetëm socialist, Valdrin Pjetri u tërhoq nga marrja e mandatit pasi u konstatua se ai kishte fshehur një dënim të marrë në Itali.

Në Vorë, kryebashkiakut Agim Kajmaku iu hoq mandatit për të njëjtën arsye, ndërsa kryetarja e Bashkisë Durrës, Valbona Sako u dorëhoq pas tërmetit të 26 nëntorit.

Balla theksoi se zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të mbahen në qershor të vitit 2021 dhe vendoret më 2023.

 

2 komente

  1. t 5 Shkurt, 2020 në 10:09 am

    Prit kongresin tend ne mars qe ta marresh vesh kur do behen zgjedhjev te parakoheshme o derrkuc

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme