Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha të enjten në Kuvend, duke iu referuar presidentit Meta dhe konfliktitit që Parlamenti pati me atë, se Venecia i dha të drejtë mazhorancës për ndryshimet kushtetuese.
“Opinioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore na dha të drejtë, sikurse të gjithë jeni në dijeni. Gjej rastin ta përgëzoj punën tonë, të Kuvendit të Shqipërisë që sipas Komisionit të Venecias ndryshimet kanë qenë në përputhje me praktikat më të mira zgjedhore. E gjithë ajo tymnajë që u iniciua nga Presidenti i Republikës tashmë ka marrë një përgjigje shumë të qartë që Kuvendi i Shqipëris ka vepruar konform Kushtetutës dhe praktikave më të mira ndërkombëtare”, tha Balla.
Ai u shpreh se mazhoranca do të votojë 7 ligjet e marrëveshjes së 5 qershorit që PD dhe LSI të heq “çdo alibi të mundshme për pjesëmarrjen në zgjedhje”.
“Vota jonë për 7 ligjet është pro, që PD-së dhe LSI-së t’i heqim çdo alibi të mundshme për pjesëmarrjen në zgjedhje. Zgjedhjet e 25 prillit janë shumë të rëndësishme që do të konfirmojmë rrugën evropiane të Shqipërisë, me këtë mazhorancë që ka sot”, tha Balla.
Sa i takon koalicioneve, një pikë që ka hapur debate në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Balla tha se Venecia i ka vlerësuar ato.
“Nuk ka thënë njëri që Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi të mos bëhen bashkë. Është e njohur që të dalësh në një koalicion duhet një drejtues dhe një program i përbashkët. Zgjidheni kush është kryetari juaj, Luli, Saliu, Iliri apo Monika, nxirrni programin dhe futini në koalicion”, u shpreh Balla.
Më 14 dhjetor, Komisioni i Venecias dhe ODIHR shprehën keqardhje për miratimin e nxituar të ndryshimeve në kushtetuese dhe kodit zgjedhor por shtuan se përmbajtja e tyre nuk bie ndesh me standardet ndërkombëtare.
Opinioni i Venecias u kërkua nga Presidenti Ilir Meta dhe u bazua në një shkëmbim mendimesh midis Komisionit, Metës, ODIHR dhe deputetes Bushka dhe “nuk duhet të konsiderohet si një përmbledhje gjithëpërfshirëse e kornizës zgjedhore të vendit. Deklarata vuri në dukje se fokusi i Komisionit ishte përputhshmëria e ndryshimeve me standardet ndërkombëtare.
Në muajin korrik, Kuvendi miratoi një pjesë të rëndësishme të reformës zgjedhore, përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.