Balla: Zgjedhjet vendore janë zhvilluar dhe kanë përfunduar

Balla: Zgjedhjet vendore janë zhvilluar dhe kanë përfunduar

Partia Socialiste vazhdon t’i injorojë dekretet e Presidentit për zgjedhjet vendore duke theksuar se “zgjedhjet janë kryer dhe përfunduar më 30 qershor”.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, këmbënguli sot në një deklaratë për mediat se procesi i 30 qershorit ishte “fitore e ligjit dhe Kushtetutës” pavarësisht se i gjithë procesi u zhvillua duke injoruar dy dekrete të Presidentit.

Nga selia e Partisë Socialiste ai tha:

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin një moment i rëndësishëm ku fitoi qytetaria, fitoi ligji, fitoi Kushtetuta e vendit dhe mendoj që mos ta bëjmë më qesharake sjelljen e opozitës dhe do të hezitoja të bëja ndonjë koment lidhur me ato që informoni ju sepse zgjedhjet e 30 qershorit janë zhvilluar, kanë përfunduar. Të zgjedhurit prej tyre qofshin këta kryetarë të bashkive apo anëtarë të këshillave bashkiakë, kanë marrë detyrën tashmë ose janë duke marrë detyrën edhe në këtë moment që flasim bashkë.

Socialistët nuk ndryshojnë kështu qëndrim për sa i përket dekreteve të Presidentit.

Më 10 qershor Meta dekretoi shfuqizimin e datës 30 qershor si datë zgjedhjesh vendore.

Më 27 qershor, ai dekretoi si datë 13 tetorin duke u shprehur se shtyrja e zgjedhjeve mund të ndikonte në uljen e tensioneve dhe gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e krizës politike.

Të dyja këto dekrete socialistët nuk i kanë respektuar, ndërkohë Balla ka preferuar të flasë për mediat edhe për reformën zgjedhore, që sipas tij PS është gati ta diskutojë me këdo:

Dora jonë është e shtrirë për të bashkëpunuar pikë së pari me opozitën në parlament për të adresuar tërësisht rekomandimet e OSBE-ODIHR por edhe të KiE që lidhen me një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse me qëllim që zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 të zhvillohen me një kod zgjedhor që ka adresuar të gjitha rekomandimet në 3 zgjedhjet e fundit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>